OPINION /

Vlora se ka problem te flasë!

Shkruar nga Versus

Vlora se ka problem te flasë!

Kush na e bëri ‘peshqesh’ Vlora Hysenin? Kush mendoi se Shqipëria kishte nevojë pikërisht për një drejtuese të tillë në krye të shërbimit që supozohet të ruajë informacionet më deilkate të shtetit? Jo më larg se dy ditë më parë, Hyseni ishte koka e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe jo një vajzë apo nënpunëse e thjeshtë e cila për dashuri vrau karrierën e saj dhe rrezikon burgun.

Sado të përpiqemi ta romantizojmë, përzgjedhja e saj duhej të kishte kaluar filtrat më të rreptë pasi nuk bëhet fjalë vetëm për jetën e Vlorës, por të miliona qytetarëve shqiptarë.

Pyetjet rreth emërimit të saj janë të shumta dhe zbulimet janë për të vënë duart në kokë sidomos kur shohim përballjen e parë të Hysenit me gazetarët pas skandalit të SHISH. Në vend që të bënte sadopak transparencë për akuzat e rënda, Hyseni i shfrytëzoi ato pak sekonda teksa hynte në GJKKO që të tentonte ta kthente gazetaren Klodiana Lala në të akuzuar.

Mesa duket Hyseni nuk e ka problem të flasë dhe të japë informacione të ndjeshme të cilat supozohet të ishin të ruajtura më së miri nga SHISH. Kur pyetet për nxjerrjen e informacioneve shtetërore tek grupet kriminale, ajo zgjedh të flasë për gazetaren duke e akuyzuar për takime të pretenduara me “agjentë serbë”, alibi që e shohim shpeshë mes zyrtarëve shqiptarë sa herë që e ndjejnë veten në rrezik.

Një akuzë e tillë e Hysenit nuk është batutë. Përmendja e një pretendimi të tillë nga ana e personit që supozohet të ruajë të dhënat e çdo shqiptari përbën një alarm më vete. Në vend që të ndihej sadopak e turpëruar për skandalin ku e përfshiu institucionin, Hyseni vijon të flasë duke bërë publike informacione që supozohej t’i ruante edhe në rast se do të ishin të vërteta të merreshin masa.

Vlora se ka problem te flasë, as me të shpallurit në kërkim e grupet informale duke iu dorëzuar informacione, e as në derë të gjykatës si e pamdehur ku nuk zgjodhi të kërkojë falje por të heshtë një gazetare me ose pa të vërtetat e saj. Por helmin e lëshoi, sërish. Antidotin ende se kemi zhvilluar. Versus.al

Poll