Në një kohë kur thirrjet e opozitës janë që të thërrasë mbledhjen e Këshillit e Sigurimit Kombëtar, Presidenti Bajram Begaj zgjodhi që situatën e krijuar pas arrestimit të ish shefes së SHISH Vlora Hyseni ta diskutojë me tre zyrtarë të lartë të c çështjes së sigurisë në vend.

Ministri I Brendshëm Ervin Demo, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtori i komanduar vetëm 2 ditë më parë në krye të SHISH, Elvis Lila ishin në Presidencë paraditen e kësaj të enjte.

Vetë zyra e Presidentit njoftoi shkurt takimin, ndërsa për bisedën shkroi vetëm se “në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”

Takimi vjen dy ditë pas vendosjes në arrest shtëpie dhe pezullimit nga detyra të drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni e akuzuar për 'zbulim të të dhënave sekrete'  dhe 'përkrahje të autorit të krimit' Ergys Agasit, i akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal.