“The Wanted”/ Të shpallur në kërkim për dhunë e trafik droge, ekstradohen tre të rinj (EMRAT)

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët ndërkombëtarë, ka finalizuar katër faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur ekstradimin e tre personave dhe arrestimin e një tjetër me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Nga Italia është ekstraduar Hasan Nderjaku, 38 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. GJKKO i kishte caktuar masën “arrest në burg” për trafikim të narkotikëve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve, Nderjaku dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut drejt vendeve europiane dhe investonte paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Nga Zvicra është ekstraduar Melsjon Kolaj, alias Melsjon Murati, 28 vjeç, i kërkuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, në Spanjë është ekstraduar Alvaro Bishaj, i shpallur në kërkim nga Interpol Madridi për “Organizatë kriminale” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate që kultivonte dhe trafikonte Cannabis Sativa.
Gjithashtu, në Itali është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri Erjon Zanaj, 40 vjeç, i dënuar në vitin 2018 me tre vite burgim nga Gjykata e Vlorës për kultivim të bimëve narkotike. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të ekstradimit, me qëllim që Zanaj të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, prej dy vitesh.
/vizionplus.tv




