Aktori i njohur, Clayton Conroy, po rikuperohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në tru, pasi u përplas nga një shofer që dyshohet se po lëvizte me rreth 160 kilometra në orë.
Ngjarja ndodhi më 19 prill në Los Angeles, raportoi Santa Cruz Sentinel. Nëna e 32-vjeçarit i tha medias se djali i saj nuk kishte konsumuar alkool atë mbrëmje, pavarësisht se ishte takuar me miqtë në një lokal. Sipas saj, ai duhej të punonte të nesërmen.
Aktori, i njohur më së shumti për rolin e tij në serialin e Netflix-it “The Gringo Hunters”, tregoi për gazetën:
“Rruga dukej krejt normale, me dritat e rrugës pas meje. Ndoshta vura re disa drita që po afroheshin me shpejtësi. Pas kësaj, u zgjova në spital”.
32-vjeçari u dërgua me urgjencë në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai, ku mjekët i thanë se kishte pësuar një dëmtim traumatik të trurit, si dhe fraktura në ije dhe në shpatull, si pasojë e përplasjes. Për një periudhë, ai mbeti gjithashtu i paaftë për të ecur.
Gjatë muajve të fundit, aktori ka ndarë herë pas here në rrjetet sociale momente nga procesi i tij i rikuperimit. Në fund të korrikut, ai publikoi një përditësim lidhur me gjendjen e tij, duke postuar edhe disa fotografi nga spitali.
“Vera doli krejt ndryshe nga çfarë e kisha imagjinuar. U përplasa nga një person që po ecte me mbi 160 kilometra në orë. Bëra një operacion në tru. Mendohej se do të vdisja. E kalova ditëlindjen time në spital. Kam humbur 9 kilogramë. Kam dëmtuar nervat e krahut dhe kam pësuar fraktura në këmbë. Ende nuk mund të eci. Por kam pasur kohë të mendoj për shumë gjëra. Nuk e di… thjesht mos e merrni asgjë si të mirëqenë. Dhe, oh, miqtë dhe familja do t’ju ndihmojnë të përballoni gjithçka. Drejtësia nuk të jepet. Duhet të luftosh për të”, shkroi ai.
Top Channel