Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot takime me drejtuesit kryesorë të strukturave të sigurisë dhe rendit në vend, në një kohë kur në qendër të vëmendjes është dosja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
Sipas njoftimit të Presidencës, Begaj priti në takim Ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe me Drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila.
Presidenca nuk jep detaje mbi temat konkrete të diskutuara, duke u mjaftuar me njoftimin se Presidenti “u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në takim Ministrin e Brendshëm, z. Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita, si dhe Drejtorin e komanduar të SHISH-it, z. Elvis Lila. Në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Takimet vijnë në kohë kur dosja Hyseni-Agasi ka nxjerrë në dritë komunikime dhe dokumente që po hetohen nga SPAK, ndërsa ish-drejtoresha e SHISH ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK dyshon se Hyseni ka nxjerrë informacion të klasifikuar dhe ka pasur kontakte me Agasin. Gjatë kontrolleve, në makinën e biznesmenit janë gjetur edhe nëntë faqe me të dhëna të dyshuara si sekret shtetëror.
Në këtë kontekst, fakti që Presidenti ka zhvilluar në të njëjtën ditë takime me Ministrin e Brendshëm, kreun e Policisë dhe drejtuesin e komanduar të SHISH-it tërheq vëmendjen, për shkak të përgjegjësive që këto institucione kanë në fushën e sigurisë dhe rendit.
Megjithatë, Presidenca nuk ka bërë të ditur nëse takimet kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen Hyseni-Agasi apo me hetimin e SPAK.












