Ky është Salvatore, alias Shpëtim Aliu, 51-vjeçari nga Elbasani, i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare si kreu i një grupi kriminal që trafikonte tonelata kokainë nga vendet e origjinës drejt Europës. Falë bashkëpunimit të autoriteteve, ai mundi të vihej në pranga në Rusi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Për Aliun, në qershor të këtij viti, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, nën akuzën për trafikim të narkotikëve, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Hetimet e SPAK kanë dokumentuar veprimtarinë e rrjetit që drejtohej nga Salvatore Aliu për vitet 2019-2021, përgjatë së cilave dyshohet se ka arritur të fusë në Evropë 50 tonë kokainë, ndërsa janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha, kur është bërë e mundur të sekuestrohen gati 9 tonë.
Sipas SPAK, rrjeti vepronte në Amerikën Latine, kryesisht në Brazil, ndërsa kishte shtrirje edhe në Belgjikë dhe Holandë, si pika të rëndësishme të hyrjes së kokainës në Europë.
Por aktiviteti kriminal, sipas SPAK, nuk ndalej te trafiku i drogës. Një pjesë e të ardhurave dyshohet se transferohej cash në Shqipëri dhe më pas investohej në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri dhe biznese të tjera, me qëllim fshehjen e origjinës kriminale të parave.
Në kuadër të hetimit, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive ndaj 491 pasurive, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Mes tyre janë vila, apartamente, toka, automjete, 209 llogari bankare, por edhe pasuri të lidhura me kompani ndërtimi dhe struktura hotelerie.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit, mes tyre Eldi Dizdari, Dritan Gjika, Armando Pacani dhe i vëllai, Isa Aliu.
Tashmë, arrestimi i Salvatore Aliut në Rusi hap rrugën për procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Lini një Përgjigje