Sulmet ruse me dronë dhe raketa ndaj kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, dhe zonave verilindore vranë tetë persona të enjten dhe në mesin e objektivave të goditura ishin një maternitet dhe një fermë, njoftuan zyrtarët. Moska e ka intensifikuar luftën ajrore muajt e fundit, duke përdorur më shumë dronë të shpejtë dhe të vështirë për t'u ndalur, ndërkohë që Ukrainës i mungojnë raketat përgjuese për të rrëzuar raketat balistike. Dy persona humbën jetën në sulmin e fundit ndaj Kievit, sipas Presidentit Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. "Ndërsa njerëzit flinin, shpërthimet ndriçibub qiellin," tha Zelensky në Telegram. "Edhe një herë, objektivat kryesore të sulmit të tyre ishin Kievi dhe infrastruktura civile: ndërtesa banimi, një maternitet, infrastruktura energjetike dhe logjistika". Në Kiev, përveç dy viktimave, u plagosën edhe tetë persona; njëri prej të plagosurve ndodhej në parkingun e maternitetit, tha kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko. Zyrtarët thanë se u dëmtuan një pjesë e fasadës, dritaret dhe dyert e spitalit, por shtuan se nuk pati pacientë apo personel mjekësor të lënduar. Policia njoftoi se në Kiev u dëmtuan gjithashtu nëntë shtëpi, një zyrë postare, magazina dhe dhjetëra automjete. Një sulm i veçantë rus ndaj një objekti për ruajtjen e perimeve në një fermë në një fshat të rajonit verilindor të Kharkiv-it vrau gjashtë persona dhe plagosi 12 të tjerë, thanë prokurorët. Breshëria e sulmeve gjatë natës në mbarë Ukrainën përfshiu një numër të paspecifikuar raketash hipersonike dhe balistike, 282 dronë dhe armë të tjera, njoftoi Forca Ajrore e Ukrainës. Autoritetet në rajonin veriperëndimor të Rivne-s njoftuan për dëme në infrastrukturë nga sulmet e natës që vazhduan deri në mëngjesin e së enjtes, pa dhënë detaje të mëtejshme. Nën sulm u gjend edhe rajoni i Volyn-it, që kufizohet me Poloninë. Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se katër dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të vendit dhe të paktën njëri prej tyre shpërtheu, ndërsa Rumania tha se një dron u rrëzua gjithashtu në territorin e saj. Polonia, anëtare e NATO-s, bëri të ditur se angazhoi aviacionin dy herë të enjten për shkak të sulmeve ruse afër kufirit.