Deputeti i opozitës, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me hetimet e SPAK-ut që përfshijnë drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Ergys Agasin.
Në një deklaratë të fortë, Balliu ngriti pikëpyetje mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë kombëtare dhe hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Sipas Balliut, “Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi janë “pupacë të Edi Ramës””, ndërsa përgjegjësinë për situatën e krijuar në institucionet e sigurisë ai e vendos drejtpërdrejt te kryeministri.
“Fakti është ky: sot kemi një situatë jashtëzakonisht të rëndë për sigurinë kombëtare. Si nuk dinte gjë Edi Rama për Karacanajn, për Ergys Agasin, për Prodën? Si mund të mos dinte asgjë për atë që sot po hetohet?”, u shpreh Balliu.
Ai vijoi me një pyetje të drejtpërdrejtë ndaj mazhorancës:
“Kujt ia hidhni këto?”
Balliu kërkoi gjithashtu që të flasin personat që kanë pasur përgjegjësi institucionale dhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë, duke kërkuar që të bëhet publike çfarë është diskutuar në Komision në lidhje me Ergys Agasin dhe Vlora Hysenin.
“Këtu nuk duhet të flasin vetëm kolegët e rinj. Të dalin ata që kanë marrë përgjegjësi, të dalin anëtarët e Komisionit të Sigurisë dhe të tregojnë çfarë ka thënë Vlora Hyseni në Komision. Ne i kemi pyetur për Ergys Agasin. Tani dilni dhe flisni”, deklaroi ai.
Deputeti i opozitës kërkoi që kryeministri Edi Rama të përballet me pyetjet e ngritura dhe të mbajë përgjegjësi për atë që ai e cilëson si një ‘krizë të rëndë të sigurisë kombëtare’.
“Edi Rama të vijë këtu, të përballet dhe të japë dorëheqjen. Përgjegjësi është një dhe vetëm një: Edi Rama. Me hir apo me pahir, Republika do të mbrohet dhe çdo strukturë e komprometuar duhet të japë llogari”, përfundoi Balliu.