Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve do të nisë të hënën grumbullimin për ndeshjen miqësore kundër Ukrainës, me trajnerin Alban Bushi që ka ftuar 21 futbollistë. 4 prej tyre vijnë për herë të parë. Omer Bajraktari ka lënë moshat e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, ndërsa mbrojtësi tjetër Numan Ajeti ka luajtur me moshat e Maqedonisë së Veriut para se të pranonte kuqezinjtë.
“Të dy dua ti falenderoj dhe dua të them që janë me potencial shumë të madh për U-21, por edhe për kombëtaren A. Për Kullën dhe Huqin janë lojtarë më të vegjël në moshë, por që kanë qenë pjesë e ekipeve të moshave të Shqipërisë. Këto miqësore të japin mundësinë për t’i testuar këta lojtarë të cilët do jenë e ardhmja e futbollit shqiptar,”-u shpreh trajneri i Kombëtares U-21 Alban Bushi.
Kuqezinjtë e vegjël do të përballen me Ukrainën më 5 tetor në Hungari në orën 15:30.
“Ukraina ta jep mundësinë, duke qenë kundërshtar shumë i fortë, që të jesh shumë i motivuar. Ekipi ynë ka shumë karakter, intensitet dhe disiplinë,”-tha Bushi.
Ndeshja ndaj Ukrainës është pjesë e programit të përgatitjeve të Kombëtares U-21 për Kampionatin Europian U-21 që organizohet në 2027 bashkë me Serbinë.


