“Babai i vdekur vjen dhe më viziton”, okultisti shokon me përvojat personale: Kur ishte gjallë shihte fantazma
Fantazmat, shpirtrat dhe dukuritë paranormale kanë qenë në fokus të emisionit “Mes’dritë”, në Vizion Plus, ku i ftuar ishte okultisti Enea Gjonaj. Gjatë bisedës, Gjonaj foli për mënyrën se si okulti dhe misticizmi e shpjegojnë jetën pas vdekjes, kontaktet me shpirtrat dhe përvojat paranormale.
I pyetur nëse fantazmat ekzistojnë, Gjonaj u shpreh se, sipas besimeve okulte, pas vdekjes njeriu vazhdon të ekzistojë në dimensione të tjera. Ai iu referua koncepteve të ndryshme të traditave të lashta dhe sanskritishtes, duke folur për atë që e cilësoi si “trupi fantazmë” ose “astral”.
“Ekziston gjithashtu ajo që quhet ‘trupi fantazmë’ ose ‘astral’, që në sanskritisht quhet ‘Bhuta’. Kur njeriu lë trupin fizik dhe del fryma, ky trup astral vazhdon në dimensione zakonisht të errëta derisa pret ciklin e ri”, tha Gjonaj.
Ai tregoi gjithashtu disa histori që, sipas tij, lidhen me përvoja personale dhe familjare. Një prej tyre lidhet me babain e tij, i cili, sipas rrëfimit të Gjonajt, kishte parë një figurë që i ngjante një nuseje pranë “Rrugës së Qelqit”, afër Kombinatit.
“Unë kam përjetime direkte që në fëmijëri. Kam edhe historitë e babait tim, i cili tashmë është ndarë nga jeta. Kur ai ishte ende gjallë fizikisht, ka pasur disa herë kontakte direkte dhe i ka parë me sy të lirë ato që i quajmë fantazma apo ‘Bhuta’”, tregoi ai.
Gjonaj rrëfeu se në një prej rasteve babai i tij kishte parë një figurë që ecte paralel me të. “Aty i doli një figurë si nuse që ecte paralel me të. Babai u mbërthye nga paniku momental dhe nuk ia ndante sytë”, tha ai, duke shtuar se më pas babai i tij kishte ndezur një shkrepëse, pasi, sipas besimit të tij, këto entitete nuk e përballojnë dot dritën.
Okultisti foli edhe për një tjetër episod të treguar nga babai i tij, kur ai kishte rënë në gjumë ndërsa pinte cigare. Sipas Gjonajt, në gjendjen mes gjumit dhe zgjimit, babai i tij kishte përjetuar atë që ai e përshkroi si shfaqjen e një “entiteti ndihmës”, i cili e zgjoi në momentin kur cigarja kishte nisur t’i vinte flakën divanit.
Gjonaj u pyet edhe nëse babai i tij, pas vdekjes, e viziton. Ai tha se e percepton praninë e tij në një gjendje të ndërmjetme.
“Vjen si person real në pamje fizike, ashtu siç ishte herën e fundit. Zakonisht më vjen i veshur me kostum shumë të bukur. Ai qëndron aty dhe nuk flet shumë, por besoj se duhet të jemi më të hapur që ta dëgjojmë”, u shpreh Gjonaj.
Gjatë intervistës, ai foli edhe për ritualet okulte, duke paralajmëruar njerëzit që të mos provojnë praktika të tilla në mënyrë amatore.
“Unë nuk i rekomandoj ritat amatore të okultit. Thirrja e emrave të demonëve krijon krisje energjetike që e programojnë njeriun negativisht. Bota okulte nuk është lodër”, deklaroi ai.
Në fund, Gjonaj këshilloi familjet që kanë humbur një person të afërt t’i drejtohen lutjeve dhe shkrimeve të shenjta, ndërsa për banesat ku ka ndodhur një tragjedi sugjeroi fillimisht bekimin dhe pastrimin e tyre, përpara se të merret në konsideratë largimi nga banesa.
/vizionplus.tv




