Treni vjen në 2027-ën? - Muçaj: Tiranë-Durrës-Rinas, drejt vënies në funksion. Vorë-Hani i Hotit e Durrës-Rrogozhinë, deri në 2030

24 Shtator 2026, 14:10Ekonomia TEMA
Treni vjen në 2027-ën? - Muçaj: Tiranë-Durrës-Rinas,

Hekurudha Tiranë–Durrës dhe lidhja me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit synohen të vihen në funksion gjatë vitit 2027. Afati është bërë i ditur nga zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj gjatë emisionit Inside Neës në TV SCAN, ku ajo foli për ecurinë e projekteve kryesore hekurudhore dhe objektivat e vendit tonë për integrimin në rrjetin evropian të transportit, brenda vitit 2030. 


“2030-a për ne, për pjesën e projekteve siç është Tiranë-Durrësi dhe lidhja me aeroportin e Tiranës, patjetër që është një realitet dhe ne shpresojmë që 2027-a të na gjejë me një linjë hekurudhore të rehabilituar. Ndërkohë për segmentet shtesë, pra për 4 km për kthimin e stacionit të trenit në Tiranë, ka një segmentim po themi. Por që Tiranë-Durrësi dhe lidhjen me aeroportin, brenda 2027-ës urojmë ta kemi në funksionim, përveç elementeve të paparashikuar që nuk i shohim për momentin. Ndërkohë ka një progres të jashtëzakonshëm në kuptimin e kontraktimit, të gjitha procedurave të brendshme”, - tha Muçaj. 

Ndërkohë, për dy projektet e tjera hekurudhore, Vorë–Hani i Hotit dhe Durrës–Rrogozhinë, objektivi është përfundimi brenda vitit 2030. Zv.ministrja theksoi se realizimi i tyre do të varet edhe nga ecuria teknike e punimeve, ndërsa procedurat e kontraktimit kanë shënuar progres.

“Për sa i përket çështjes së Vorë-Hani i Hotit, edhe aty ne kemi një parashikueshmëri brenda 2030-ës, pasi duam ta konsiderojmë për momentin. Gjithmonë me tolerancën që thamë kryesisht të karakterit teknik që ajo të realizohet. Pra ne kemi një angazhim të plotë në mënyrë që pjesa e implementimit të mos gjejë pengesa dhe të mund të realizohet. Durrës-Rrogozhina ka një planifikim dhe ajo drejt 2030-ës dhe ndërkohë të gjitha këto elementë pra, brenda 2030-ës ne mendojmë se do të kemi produkte të prekshme dhe përpara madje për segmentet që diskutuam, për qytetarët shqiptarë”, - tha Muçaj. 

Përtej investimeve, zv.ministrja bëri të ditur edhe objektivat e ministrisë për kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian e më specifikisht për Kapitullin 14, për Politikën e Transportit dhe Kapitulli 21, për Rrjetet Transeuropiane.

“Ne mendojmë që në fakt brenda marsit të vitit që vjen, pra në 2027-ën, kapitulli 14 do të jetë nga pikëpamja teknike i mbyllur për sa i takon Shqipërisë, pra anës tonë. Kuptohet që jemi 2 në këtë “tango”, pra është Komisioni Evropian nga ana tjetër që vjen me pjesën e vlerësimit, konsideratave të veta për procesin dhe kjo është mëse normale. Për kapitullin 21 madje, kemi një përgatitje dhe më paraprake dhe shpresojmë shumë që brenda këtij viti ne të kemi konsiderata pozitive nga Bashkimi Evropian”, - tha Muçaj.

Lini një Përgjigje