Tre vjet nga sulmi në Banjskë, krerët e shtetit nderojnë rreshterin e policisë Afrim Bunjaku

Kjo e enjte shënon tre vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Edhe Albin Kurti ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku që u vra gjatë sulmit.
“Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë kurdoherë. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, tha Kurti.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka ritheksuar thirrjen që autorët e sulmit në Banjskë të mbahen përgjegjës.
Ndërkohë, procesi gjyqësor për këtë rast ka përfunduar në shkallën e parë për tre nga të akuzuarit, ndërsa ndaj pjesës tjetër përfshirë Milan Radoiçiçin procesi nuk ka nisur pasi ata janë në kërkim.
Më 24 prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Toliqin, ndërsa Dushan Maksimoviqin e dënoi me 30 vjet burgim.
Për Radoiçiçin dhe të akuzuarit e tjerë që ndodhen jashtë Kosovës janë lëshuar fletarrestime ndërkombëtare.




