
Seanca gjyqësore për çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, nuk u zhvillua të enjten, pasi mungonte një anëtare e trupit gjykues. Po ashtu, avokatët e të pandehurve, megjithëse ishin të pranishëm në sallë, qëndruan në vendet e rezervuara për publikun dhe nuk përfaqësuan të mbrojturit prej tyre.
Kryesuesi i trupit gjykues, Erjon Bani, pyeti përfaqësuesin ligjor të Metës, avokatin Bujar Musta, se përse nuk qëndronte në vendin e përcaktuar për avokatët dhe përse nuk e përfaqësonte klientin e tij, ndërkohë që ishte i pranishëm në sallë.
Avokati Musta shpjegoi se Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, përmes dy vendimeve, ka vendosur bojkotin pa afat të të gjitha proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Ai tha se rrezikon heqjen e licencës së avokatit nëse e thyen bojkotin.
Kryesuesi Bani i solli në vëmendje avokatit Musta se kishte qenë gjyqtar dhe se nga një rrethanë e tillë po cenohej administrimi i drejtësisë, gjë që, sipas tij, përbën vepër penale sipas nenit 264 të Kodit Penal, “Detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë”.
Meta deklaroi se situata e krijuar po cenon interesat e tij për një proces gjyqësor, por, nga ana tjetër, shtoi se avokati ndodhet në këtë pozitë për shkak të licencës. Seanca u shty për më 1 tetor.
Rregullorja, e miratuar më 17 korrik dhe që hyri në fuqi më 1 shtator, vendos një sërë rregullash të reja për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e Gjykatës. Një pjesë e dispozitave prekin drejtpërdrejt aksesin dhe punën e avokatëve të të pandehurve, si dhe të gazetarëve që raportojnë mbi proceset gjyqësore.
Me argumentin se telefoni celular është një mjet pune, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të të gjitha proceseve gjyqësore publike në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, deri në ndryshimin e rregullores. Por, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi gjoba ndaj avokatëve, të mërkurën Dhoma e Avokatisë njoftoi se prej të hënës së ardhshme do të bojkotohen edhe seancat për masat e sigurimit personal. Nëse kjo do të ndodhë, ekziston rreziku që personat e ndaluar me kërkesë të SPAK, nëse nuk dalin për caktimin e masës së sigurisë brenda 72 orësh për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor, të lirohen.
Rregullorja e GJKKO-së është kundërshtuar edhe nga gazetarët. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH, depozitoi një javë më parë në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e disa pikave të kësaj rregulloreje, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
SPAK e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA, kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, ndikimet për llogari të biznesmenit Samir Mane dhe Adrian Shatkut në këmbim të favoreve, pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-Bllok dhe mosdeklarimin e shpenzimeve. Për disa prej akuzave është marrë e pandehur edhe Kryemadhi, e cila, së bashku me ish-bashkëshortin, i kanë cilësuar akuzat si të pabazuara dhe të inskenuara nga kundërshtarët politikë.






