Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për sulmin e ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala, pasi kjo e fundit e pyeti nëse kishte shpërndarë sekrete shtetërore te eksponentë të krimit.
Berisha u shpreh se sulmi verbal i Hysenit ndaj reporteres së News24, duke aluduar për takime të sajat me agjentë serbë në Tiranë, është shpifje dhe hakmarrje e ish-shefes së SHISH për të vërtetat që gazetarja zbulon për publikun e gjerë.
Për më shumë, Berisha u shpreh i bindur se nën drejtimin e Vlora Hysenit, Shërbimi Informativ Kombëtar ka përgjuar në mënyrë të vazhdueshme gazetarë. Sipas kreut të Partisë Demokratike, të njëjtin fat mund të kenë patur dhe prokurorët e gjyqtarët e posaçme, të cilët rrezikojnë të përballen me shantazhin e ish-drejtueses së Shërbimit Sekret të vendit.
“Që SHISH-i ka patur në përgjime gazetarë, e kam denoncuar para jush shumë herë, por unë e konstatova se kjo nuk u pëlqej gazetarëve. Që ish-shefja e Shërbimit t’i përgjigjet gazetares në atë mënyrë, dëshmon vetëm se është një hakmarrëse e vërtetë dhe së dyti shpif për një gazetare që sulmon atë dhe padronin e saj. Kjo në këtë rast përdor postin për të bërë shantazh ndaj gazetarëve dhe ky është problem i madh, se kjo do të shantazhojë dhe prokurorët e gjyqtarët”.- tha Berisha.












