Rubio paralajmëron Serbinë: Është e përfshirë në çështje potencialisht shpërthyese

Nga Erjon Dervishi
24 Shtator 2026, 14:50 | Ballkani

Një paralajmërim i ashpër ka ardhur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio në drejtim të Serbisë.  Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Rubio i bëri këto deklarata më 23 shtator në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Ai nuk specifikoi se cilave çështje u referohej.

“Është e qartë se Serbia është e përfshirë në çështje të caktuara që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, tha Rubio.

Pavarësisht kësaj, kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni synon të thellojë partneritetin strategjik me Beogradin, shkruan A2.

“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, deklaroi Rubio. “Shpresoj që edhe unë të kem mundësinë ta vizitoj”, tha ai.

Rubio bëri të ditur se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare tashmë kanë vizituar Serbinë. Rubio shprehu gjithashtu gatishmërinë që edhe vetë ta vizitojë këtë shtet. Deklaratat e Rubios vijnë në kohën kur Uashingtoni dhe Beogradi po zhvillojnë dialogun strategjik. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale.

Ndërkohë, në gusht, ligjvënës republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën një projektligj lidhur me Serbinë.

Në të ngrihen shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por prej vitesh nuk ka hapur kapituj të rinj negociues. Ndër çështjet që kanë ndikuar në proces janë sundimi i ligjit dhe mospërputhja e plotë e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos