Luçiano Boçi: Historia rozë Agasi-Hyseni për të spostuar vëmendjen! Shteti ka rënë
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi thotë se deklaratat e Vlora Hysenit synojnë të spostojnë vëmendjen nga çështja që ai e konsideron si një skandal të rëndë, duke ngritur shqetësimin edhe për sigurinë kombëtare. Sipas tij, sulmet ndaj gazetares vijnë në një moment kur ndaj ish-drejtueses së SHISH rëndojnë akuza dhe hetime të rënda.
Nga ana tjetër, Boçi e lidhi situatën edhe me sigurinë kombëtare, duke argumentuar se zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet e sigurisë dhe marrëdhënien e tyre me median.
“Ky është një presion ndaj medias, një reagim toksik që vjen nga struktura që kanë pushtetin e tyre dhe pretendojnë se posedojnë informacion. Nuk po them se presioni është bërë mbi bazën e një informacioni të vërtetuar, pasi, sipas tij, ai është përdorur për të vijuar presionin ndaj gazetares dhe për të tërhequr denoncimet e saj. Klodiana ka qenë aktive dhe ka zbuluar çështje të rëndësishme, çka ka sjellë reagimin e drejtoreshës së arrestuar të SHISH.
Gazetarët mund të takohen me deputetë, politikanë apo persona të tjerë, por nuk mund të akuzohet gazetarja pa u ndjekur më parë rruga institucionale. Në këto prononcime janë hedhur edhe insinuata se media të caktuara paguhen nga agjentura të huaja, me synimin për të zhvendosur vëmendjen nga skandali. Ky është kryelajm dhe kryeskandal, pasi bëhet fjalë për një situatë të paimagjinueshme dhe për cenimin e sigurisë kombëtare”, tha Boçi.

