E rëndë në Itali/ 6-vjeçari ndërron jetë teksa po hante ushqim, prindërit tentuan t’a shpëtonin…

24/09/2026 15:03

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në provincën e Chietit, në Itali, ku një fëmijë 6-vjeçar ka ndërruar jetë pas një krize të rëndë respiratore gjatë kohës që po hante.

Mediat italiane shkruajnë se, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së mërkurës. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, fëmija, i cili sapo kishte nisur klasën e parë, po hante në shtëpi kur një kafshatë dyshohet se i ka shkuar në rrugët e frymëmarrjes.

Prindërit tentuan menjëherë ta ndihmonin për t’i liruar rrugët e frymëmarrjes dhe njoftuan shërbimet e emergjencës. Për shkak të gjendjes së rënduar, ata e morën vetë fëmijën me makinë dhe e dërguan në pikën e ndihmës së parë në Casoli.

Kur mbërriti në qendrën shëndetësore, gjendja e tij ishte tepër e rëndë. Mjekët nisën menjëherë përpjekjet për reanimim, ndërsa u aktivizua edhe një helikopter i zjarrfikësve për transferimin e tij drejt spitalit, shkruajnë mediat vendase.

Megjithatë, të gjitha përpjekjet rezultuan të pasuksesshme. Fëmija ndërroi jetë para se të mund të realizohej transportimi i tij në spital.

Policia italiane ka nisur verifikimet për të sqaruar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet e vdekjes. Për momentin, hipoteza kryesore është ajo e mbytjes për shkak të një kafshate ushqimi, por autoritetet vijojnë të hetojnë.

Top Channel