Një 42-vjeçare në Australi është akuzuar për vrasjen e djalit të saj pesëvjeçar dhe tentativën për të vrarë dy fëmijët e tjerë, pasi dyshohet se i sulmoi me thikë ndërsa ishin të lidhur në sediljet e fëmijëve në makinë. Ngjarja ndodhi të dielën në zonën Blue Mountains, pranë Sidneit.

Sipas mediave, gruaja i kishte thënë bashkëshortit se do t’i nxirrte fëmijët për shëtitje. Ajo shkoi në një rrugë të veçuar në Valley Heights, ku rreth orës 13:00 dyshohet se sulmoi me thikë fëmijët e moshave pesë, tre dhe një vjeç teksa ata ishin të lidhur me rrip sigurimi në sediljet e makinës. Më pas, sipas policisë, plagosi edhe veten.

Pesëvjeçari ndërroi jetë në vendngjarje. Motra dhe vëllai i tij më të vegjël pësuan plagë të rënda në qafë. Ekipet e emergjencës u dhanë ndihmën e parë në vend dhe i dërguan të plagosurit në spital në gjendje kritike.

Një çiklist vuri re fillimisht makinën me dyert e hapura dhe gruan e gjakosur. Kalimtarë të tjerë ndihmuan nënën dhe fëmijët dhe njoftuan shërbimet e emergjencës.

Gruaja është akuzuar për vrasje në kontekstin e dhunës në familje dhe për dy akuza të tjera që lidhen me plagosjen e rëndë me qëllim vrasjen. Të martën ajo u paraqit para gjykatës në Penrith përmes një lidhjeje video nga shtrati i spitalit. Gjykata nuk i dha lirinë me kusht dhe e shtyu seancën për më 20 nëntor.

Babai i fëmijëve, i cili sipas raportimit ishte në punë në kohën e ngjarjes, shkoi në spital sapo mësoi çfarë kishte ndodhur. Të martën, gjendja e dy fëmijëve të mbijetuar ishte kritike, por e qëndrueshme.

Anëtarë të komunitetit kenian në Sidnei janë mbledhur për t’i dhënë mbështetje babait, ndërsa konsullata e Kenias ka konfirmuar se po ndihmon familjen.

Zëvendëskomisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Peter McKenna, e cilësoi sulmin barbar. "Përdorimi i një thike apo i një arme tjetër të mprehtë është vërtet një akt barbar. Dhe kur viktimat janë fëmijë, nuk ka gjë më të rëndë", tha ai.