
Një 42-vjeçare në Australi është akuzuar për vrasjen e djalit të saj pesëvjeçar dhe tentativën për të vrarë dy fëmijët e tjerë, pasi dyshohet se i sulmoi me thikë ndërsa ata ishin të lidhur në sediljet e makinës.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në Valley Heights, në zonën e Blue Mountains, pranë Sidneit.
Sipas mediave australiane, gruaja i kishte thënë bashkëshortit se do t’i nxirrte fëmijët për shëtitje. Ajo i mori tre fëmijët, pesë, tre dhe një vjeç, dhe shkoi në një rrugë të veçuar. Rreth orës 13:00, dyshohet se i sulmoi me thikë ndërsa ata ndodheshin të lidhur me rripat e sigurimit në sediljet e fëmijëve.
Më pas, sipas policisë, 42-vjeçarja plagosi edhe veten.
Djali pesëvjeçar humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy fëmijët e tjerë pësuan plagë të rënda në qafë. Ekipet e emergjencës u dhanë ndihmën e parë në vendngjarje dhe i transportuan në spital në gjendje kritike. Të martën, gjendja e tyre raportohej kritike, por e qëndrueshme.
Një çiklist ishte ndër personat e parë që vuri re makinën me dyert e hapura dhe gruan e gjakosur. Kalimtarë të tjerë iu afruan automjetit dhe ndihmuan nënën dhe fëmijët, ndërsa njoftuan shërbimet e emergjencës.
Gruaja është akuzuar për vrasje në kontekstin e dhunës në familje, si dhe për dy akuza për plagosje të rëndë me qëllim vrasjen.
Të martën, ajo u paraqit para gjykatës në Penrith përmes një lidhjeje video nga shtrati i spitalit. Gjykata nuk i dha lirinë me kusht, ndërsa seanca e radhës u shty për 20 nëntor.
Babai i fëmijëve, i cili ndodhej në punë në momentin e ngjarjes, shkoi në spital sapo mësoi për sulmin. Ndërkohë, anëtarë të komunitetit kenian në Sidnei janë mbledhur për t’i dhënë mbështetje familjes, ndërsa Konsullata e Kenias ka konfirmuar se po ofron ndihmë.
Zëvendëskomisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Peter McKenna, e cilësoi ngjarjen si një sulm barbar.
“Përdorimi i një thike apo i një arme tjetër të mprehtë është vërtet një akt barbar. Dhe kur viktimat janë fëmijë, nuk ka gjë më të rëndë”, deklaroi ai.

