Policia e Tiranës ka zhvilluar një operacion për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke vënë në pranga 8 shtetas, të dyshuar apo të dënuar për një sërë veprash penale.
Sipas Policisë, personat e arrestuar janë të përfshirë në vepra penale që lidhen me vrasje e mbetur në tentativë, plagosje e rëndë me dashje, armëmbajtje pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, vjedhjen, falsifikimin e dokumenteve si dhe prishjen e qetësisë publike.
Të arrestuarit për krime të rënda
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë vënë në pranga shtetasin K. T., 39 vjeç.
Sipas Policisë, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, pasi dyshohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në një tjetër rast, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, specialistët e Policisë kanë arrestuar shtetasin E. B., 31 vjeç. Ky person ishte i dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Arrestim për falsifikim dokumentesh
Në kuadër të operacionit janë goditur edhe raste që lidhen me krimet ekonomike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kanë vënë në pranga shtetasin N. M.
Sipas të dhënave të Policisë, ai ishte i dënuar me 4 muaj burgim për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Katër persona të kërkuar për vepra të ndryshme
Në pranga ka rënë shtetasin S. V., 18 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, kanë vënë në pranga shtetasin K. Xh. Ai ishte i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
Në një tjetër operacion të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, u arrestua shtetasi R. L., 26 vjeç, i dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Policia bën me dije se nga dënimi i këtij shtetasi kanë mbetur për t’u vuajtur edhe 1 muaj e 3 ditë burgim.
Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 është arrestuar edhe shtetasi O. N., 30 vjeç. Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Një tjetër rast i evidentuar gjatë kontrolleve është ai i shtetasit K. M., 29 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë momentit të ndalimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Lënda e dyshuar narkotike është sekuestruar nga Policia dhe është administruar si provë materiale, ndërsa vijojnë procedurat përkatëse hetimore dhe procedurale.













