AKTUALITET, 24 September 2026, 15:34

Borxhi po rëndon familjet/ BSH: 16% e tyre kanë kredi. Këstet zënë një pjesë më të madhe të të ardhurave

Më pak familje shqiptare kanë hua për të shlyer, por për ato që kanë marrë kredi, pesha e kësteve mbi të ardhurat është rritur. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë nga vrojtimi “Mbi gjendjen financiare dhe ngarkesën me borxh të familjeve”, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, tregojnë se rreth 16% e familjeve të anketuara kanë të paktën një hua për të paguar. Kjo peshë është ulur lehtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qëndruar edhe nën mesataren historike prej 26%.

Megjithatë, për familjet që kanë kredi, situata është disi më e ndryshme. Rreth 76% e familjeve huamarrëse deklarojnë se pagesa e huasë zë më pak se 30% të të ardhurave të tyre mujore. Por kjo peshë ka rënë krahasuar me periudhën e mëparshme, ndërsa është rritur numri i familjeve për të cilat kësti i kredisë përbën më shumë se 30% të të ardhurave.

Kjo tregon se, ndonëse numri i familjeve që kanë hua është ulur, për një pjesë të tyre shlyerja e kredive po zë një pjesë më të madhe të të ardhurave. Edhe vetë familjet raportojnë një dobësim të lehtë të aftësisë së tyre për të përballuar pagesat. Rreth 51% e familjeve huamarrëse thonë se aftësia paguese nuk ka ndryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit. Ndërkohë, 70% e tyre nuk presin ndryshime në këtë drejtim gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesit e aftësisë paguese dëshmojnë për një dobësim gjatë gjashtëmujorit të parë. Megjithatë, pritjet për pjesën e dytë të vitit janë më të qëndrueshme dhe më optimiste. Pra, edhe pse një pjesë e familjeve po përballen me një ngarkesë disi më të lartë nga huatë, shumica nuk presin përkeqësim të mëtejshëm të aftësisë së tyre paguese. Sa i takon kërkesës për kredi, familjet presin që ajo të mbetet e qëndrueshme gjatë pjesës së dytë të vitit 2026.