Komisioni Evropian i ka propozuar Këshillit të BE-së zhbllokimin e 4.2 miliardë eurove nga fondet e kohezionit për Hungarinë, pas vlerësimit se qeveria e kryeministrit Péter Magyar ka ndërmarrë masa për të adresuar problemet e lidhura me shtetin e së drejtës.
Komisioni ka propozuar gjithashtu rikthimin e plotë të Hungarisë në programet Erasmus dhe Horizon.
Rreth 55 për qind e fondeve të kohezionit të paracaktuara për Hungarinë ishin pezulluar në vitin 2022 për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.
Sipas Komisionit Evropian, masat korrigjuese të njoftuara nga qeveria hungareze më 9 shtator dhe zbatimi i tyre kanë adresuar problematikat në fusha si prokurimet publike, lufta kundër korrupsionit, konfliktet e interesit dhe efektiviteti i ndjekjes penale.
Hungaria ka forcuar kompetencat e Autoritetit për Integritetin, ka vendosur një sistem më të gjerë deklarimi të pasurisë dhe ka rritur transparencën për konfliktet e mundshme të interesit.
Gjithashtu janë forcuar kontrollet mbi fondet e BE-së dhe transparenca në prokurimet publike. Një tjetër hap i rëndësishëm është anëtarësimi i Hungarisë në Prokurorinë Publike Evropiane.
“Reformat japin rezultate konkrete”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Lini një Përgjigje