web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zgjedhjet e OMP-së në Pogradec/ Debate dhe kundërshtime nga peshkatarët: Nuk u njoftuam në kohë

24 Shtator 2026, 15:38, Sociale CNA

Mes kundërshtimeve dhe debateve të forta janë zhvilluar zgjedhjet për strukturat drejtuese të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit në Pogradec. Një grup peshkatarësh kundërshtoi mënyrën e organizimit të procesit, duke pretenduar se nuk ishin njoftuar në kohë për zgjedhjet.

Ata kërkuan anulimin e procesit dhe shtyrjen e tij, në mënyrë që kandidatët të kishin mundësi të paraqisnin kandidaturat dhe të informonin peshkatarët.

“Dje në darkë u informuam nga peshkatarët që sot paska zgjedhje. Nuk na ka njoftuar shumicën e peshkatarëve. Ne duam anulimin e zgjedhjeve sot, t’u jepet kohë kandidatëve që duan të kandidojnë që të flasin me peshkatarët, t’i informojnë”,-tha anëtari i OMP-së, Zamir Goroveci. 

Sipas Gorovecit, procesi po zhvillohej me nxitim dhe pa përfshirjen e të gjithë peshkatarëve.

Edhe peshkatari Albert Leka tha se nuk kishte marrë njoftim zyrtar për zgjedhjet, ndërsa deklaroi se një grup peshkatarësh ka mbledhur firma kundër mënyrës së zhvillimit të procesit.

“Unë s’jam dakord se nuk më ka lajmëruar njeri. Sot kam ardhur me dijeninë e peshkatarëve që më kanë thënë. Ne kemi mbledhur firmat, jemi gati 65 peshkatarë profesionistë që nuk jemi dakord”,-tha Leka. 

Nga ana tjetër, ish-kryetari i OMP-së, Adriatik Dokollari, i kundërshtoi pretendimet për mungesë njoftimi. Ai tha se mbledhja ishte njoftuar prej ditësh dhe se listat e anëtarëve ishin vënë në dispozicion të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë.

Zgjedhjet e OMP-së në Pogradec/ Debate dhe kundërshtime nga

“Që të enjten ka filluar njoftimi për mbledhjen. I kemi njoftuar me listë prezence ku janë njoftuar me firmë. Kemi kërkuar edhe një grup monitorimi nga ministria për të monitoruar mbledhjet, për të parë që janë apo s’janë anëtarë”,-theksoi Dokollari. 

Duke mbrojtur punën e OMP-së, Dokollari deklaroi se gjatë viteve të fundit janë rritur rezervat peshkore dhe është luftuar peshkimi i paligjshëm.

Ai tha gjithashtu se një nga kërkesat e OMP-së për ministrinë është nxjerrja e rrjetave të mbytura prej vitesh në liqen, të cilat, sipas tij, dëmtojnë rezervat peshkore. Pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve të një grupi peshkatarësh, procesi zgjedhor vijoi. U zgjodhën anëtarët e Këshillit Administrativ dhe më pas strukturat drejtuese të OMP-së, në kuadër të procedurave për rinovimin e kontratës me Ministrinë e Bujqësisë./CNA 





Lajmet e fundit nga