SYRI TV/ Skandali SHISH, tensione në kuvend, deputet e PD bllokojnë foltoren e Kuvendit

15:26, 24/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kuvendi u kthye në arenë debatesh dhe tensionesh, pasi opozita kërkoi anulim të rendit të ditës, me qëllim që debati të fokusohej te skandali i drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Lideri i opozitës, Sali Berisha, kërkoi kthim të kryeministrit Edi Rama në Shqipëri dhe dorëheqje të parevokueshme të tij. Gjatë fjalës në Kuvend, Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se urdhëroi Vlora Hysenin të bëhet ushtare e Ergys Agasit dhe bandave kriminale.

Sipas liderit demokrat, shitja e sekreteve shtetërore te bandat ka cenuar sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me shërbimet partnere. Ndërkohë, mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës që në seancë të debatohej për skandalin e SHISH, duke kaluar në votim me procedurë të shkurtuar të rendit të ditës.

Arrestimi i shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ka shkaktuar tensione dhe debate të forta në Kuvend. Që në fillim, opozita kërkoi anulim të rendit të ditës, duke kërkuar që në seancë të diskutohej vetëm për skandalin e SHISH. Në momentin që mori fjalën Ministrja Erjona Ismailiaj, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, refuzoi të lironte foltoren. Deputetët demokratë bllokuan foltoren e Kuvendit, ndërsa në sallë u fut edhe Garda.

Seanca u ndërpre disa herë gjatë hapësirës së diskutimeve për procedurë, pasi deputetët e opozitës refuzuan që të vijohej me rendin e ditës.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, që në nisje të seancës kërkoi anulim të rendit të ditës, ndërsa debati të fokusohej te skandali i Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Lideri i opozitës, Sali Berisha, kërkoi kthim urgjent të Kryeministrit Edi Rama në vend dhe dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha e cilësoi Kuvendin si parlament të Ergys Agasit, të cilin e konsideroi mafiozin më të madh të Europës. Sipas Berishës, Vlora Hyseni u bë ushtare e Ergys Agasit me urdhër të Edi Ramës.

Berisha tha se veprimet e Vlora Hysenit kanë kompromentuar marrëdhëniet e shërbimit informativ shqiptar me shërbimet e vendeve partnere, duke cenuar rëndë sigurinë kombëtare.

Ai tha se Vlora Hyseni vuri në shërbim të Ergys Agasit pajisjet e SHISH, me të cilat janë përgjuar dhe regjistruar të gjithë deputetët e PS, duke përmendur emrat e disa prej tyre.

Por kërkesa e liderit të opozitës dhe ajo e grupit parlamentar demokrat, që të anulohej rendi i ditës dhe debati të fokusohej te skandali i drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, me Ergys Agasin, u rrëzua nga mazhoranca socialiste, duke kaluar në votimin e rendit të ditës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco