Kompanitë e ndërtimit po zhyten në borxhe me ritme të shpejta. Banka e Shqipërisë raportoi së në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit, 27 për qind e kompanive shqiptare të ndërtimit kishin një borxh të barabartë ose më të lartë se sa kapitali i tyre.
“Në nivel sektorial, sektori i ndërtimit vijon të mbetet sektori me ngarkesën më të lartë të huasë ndaj kapitalit, ku rreth 27% e ndërmarrjeve kanë deklaruar se kjo vlerë është e barabartë ose tejkalon vlerën e kapitalit,” thuhet në raportin e Stabilitetit Financiar të BSH.
Sipas Bankës Qendrore, kjo vlerë është rritur me gati 10 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Përdorimi agresiv i levës financiare nga kompanitë e ndërtimit e ekspozon edhe më shumë sektorin bankar ndaj një krize të mundshme.

Raporti borxh/kapital më i lartë se 1 nuk është një situatë e pandeshur në sektorin e ndërtimit. Përgjithësisht projektet e ndërtimit kanë kosto të larta fillestare, të cilat kërkojnë angazhimin e financimeve masive.
Kjo situatë nuk përbën problem për sa kohë tregu ka ecuri të mirë dhe shitjet e apartamenteve janë të mira. Por kur shitjet ngadalësohen, kompanitë me levë të lartë financiare mund të përballen me probleme serioze në shlyerjen e kredive.
Muajt e fundit, kompanitë e ndërtimit kanë raportuar për sinjale të ngadalësimit të shitjeve. Madje disa ndërtues pretendojnë se tregu është në paralizë, një situatë kjo e lidhur edhe me aksionet e SPAK, të cilat kanë çuar në goditjen e disa prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend./kapitali.al












