Njëmbëdhjetë vende, të udhëhequra nga Austria, po kërkojnë pezullimin për 12 muaj të legjislacionit të ri të BE-së, në atë që ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer, e përshkroi si një “vit të thjeshtimit”.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të paraqesim propozime të reja legjislative kur rregullat ekzistuese ende nuk po zbatohen plotësisht”, tha Bauer në një intervistë për Brussels Playbook, duke iu referuar një dokumenti të nënshkruar nga Austria, Gjermania, Italia, Polonia, Danimarka, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Portugalia dhe Hungaria.
Brukseli tashmë po përpiqet të prezantojë paketa për reduktimin e burokracisë, të njohura si “omnibus”, por sipas Bauer, këto përpjekje nuk janë të mjaftueshme.
“Thjeshtimet që po aplikohen aktualisht, janë kryesisht thjeshtime pas miratimit të legjislacionit”, tha ajo. “Ne i mbështesim plotësisht paketat omnibus të Komisionit, por nuk mund të kthehet në standard miratimi i legjislacionit të ri dhe më pas të ndërmarrim një seri të tërë aktesh të tjera për ta thjeshtuar atë. Thjeshtimi duhet të fillojë përpara se legjislacioni të miratohet.”
Të 11 vendet kërkojnë që çdo ligj i propozuar nga Brukseli t’i nënshtrohet një vlerësimi rigoroz për të përcaktuar përshtatshmërinë e tij dhe nëse ai mbështet konkurrueshmërinë ekonomike. Sipas planit të tyre, të gjitha rregulloret e reja do duhet t’i nënshtrohen një rivlerësimi mbi ndikimin e shkaktuar çdo pesë vjet.
Brukseli duhet t’i kushtojë një vit të tërë shqyrtimit dhe zbatimit të ligjeve që tashmë ekzistojnë, tha Bauer. “Një përpjekje e tillë nuk duhet parë si reduktim i rregullave, por si një pastrim i imtësishëm i legjislacionit”, thuhet në një draft të dokumentit.
Bauer e përmblodhi qëndrimin asaj duke u shprehur se duhen më pak fjalë e më shumë punë konkrete.