Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti serb Aleksandër Vuçiç përsëriti qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe tha se do të mbronte integritetin territorial të vendit.
Ai falnderoi shtetet që nuk e njohin Kosovën, siç pohoi, përkundër presionit të madh ndërkombëtar, dhe kritikoi sulmet e NATO-s ndaj Serbisë.
“Po mendoj për të gjitha vendet që e njohën pavarësinë e Kosovës. Për shumë prej jush, kjo mund të tingëllojë si një e kaluar e largët, por plagët e shkaktuara në të drejtën ndërkombëtare janë më të thella dhe më të rënda. Rendi i kartës së së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston më. Ata e shkatërruan atë për shkak të interesave të tyre politike.Arsyeja e vetme zyrtare për sulmin ndaj Serbisë, të kryer nga 19 vende të NATO-s, është se ata na thanë se e sulmuan vendin për të shmangur një katastrofë humanitare. Kjo nuk ndodhi. Hapni sytë për të gjitha kontratat që nënshkruani me fuqitë e mëdha.
Kështu nënshkruam Marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, me dëshirën për të zgjidhur problemet midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë përmes një kompromisi. Të gjitha detyrimet që kishte Serbia u përmbushën dhe i vetmi që kishin shqiptarët, në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, nuk u përmbush.
Dua të falënderoj secilin prej 107 vendeve që nuk e njohën pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë…
Është më e vështirë për ne në Serbi kur, në mjedisin tonë, shohim nazizmin të ngrihet përsëri në piedestalin e vlerave shoqërore, veçanërisht në Kroaci, shtet i cili është krenar për të kaluarën e tij naziste dhe përdorimin e sloganeve dhe simboleve naziste sot”, tha ai.