
FBI-ja ka nisur hetimet pas pretendimeve të grupit kriminal kibernetik ShinyHunters se ka siguruar të dhëna sensitive të mijëra punonjësve të Byrosë Federale të Hetimit.
Sipas grupit, hakerët kanë vjedhur emra, funksione, numra identifikimi, adresa, numra telefoni dhe të dhëna familjare të punonjësve të FBI-së.
Disa prej mostrave të publikuara nga ShinyHunters janë verifikuar nga mediat amerikane dhe duket se përputhen me të dhëna reale. Megjithatë, origjina e tyre dhe mënyra se si janë siguruar nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
FBI-ja ka konfirmuar se është në dijeni të pretendimeve dhe ka nisur verifikimet për të përcaktuar nëse janë komprometuar sistemet e saj apo infrastruktura e një kompanie të tretë që ofron shërbime për zyrën e punësimit të Byrosë.
ShinyHunters pretendon se ka shfrytëzuar një dobësi në një sistem për të marrë të dhënat. Grupi kërkon gjithashtu që FBI-ja të tërheqë një njoftim të mëparshëm, në të cilin e kishte përshkruar si një aktor kërcënues.
Deri në përfundimin e hetimit, mbetet e paqartë nëse të dhënat janë marrë drejtpërdrejt nga sistemet e FBI-së apo përmes një ofruesi të jashtëm të shërbimeve./Versus.al

