BOTA /

"Kosova është Serbi"/ Vuçiç nuk ndryshon qëndrim. Ankohet në OKB për NATO-n, sulmon Kroacinë

Vuçiç deklaroi se Serbia do të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, ndërsa falënderoi 107 shtetet që, sipas tij, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkruar nga Versus

"Kosova është Serbi"/ Vuçiç nuk ndryshon

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka përsëritur qëndrimin e Beogradit për Kosovën gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Vuçiç deklaroi se Serbia do të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, ndërsa falënderoi 107 shtetet që, sipas tij, nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Dua të falënderoj secilin prej 107 vendeve që nuk e njohën pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të të ashtuquajturës Kosovë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb kritikoi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, duke pretenduar se arsyeja e deklaruar për sulmin ndaj Serbisë ishte shmangia e një katastrofe humanitare.

“Arsyeja e vetme zyrtare për sulmin ndaj Serbisë, të kryer nga 19 vende të NATO-s, është se ata na thanë se e sulmuan vendin për të shmangur një katastrofë humanitare. Kjo nuk ndodhi”, u shpreh ai.

Vuçiç akuzoi gjithashtu vendet që njohën Kosovën se kanë dëmtuar rendin ndërkombëtar dhe parimet e Kartës së OKB-së.

“Rendi i Kartës së së drejtës ndërkombëtare nuk ekziston më. Ata e shkatërruan atë për shkak të interesave të tyre politike”, deklaroi presidenti serb.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Vuçiç iu referua Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Ai pretendoi se Serbia ka përmbushur detyrimet e saj, ndërsa Kosova nuk ka zbatuar pjesën që lidhet me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në fund të fjalimit, presidenti serb u ndal edhe te Kroacia. Ai pretendoi se në këtë shtet po rikthehen në hapësirën publike simbole dhe slogane të lidhura me nazizmin.

“Është më e vështirë për ne në Serbi kur, në mjedisin tonë, shohim nazizmin të ngrihet përsëri në piedestalin e vlerave shoqërore, veçanërisht në Kroaci”, tha Vuçiç.

Fjalimi i presidentit serb në OKB vjen në një kohë kur çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vijon të mbetet një nga çështjet kryesore në agjendën ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor./Versus.al

Poll