TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Bashkëshortja e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, Corinna, ka folur për jetën e saj pas aksidentit të rëndë në ski, që pësoi piloti gjerman në dhjetor të vitit 2013. Rrëfimi i saj vjen në një dokumentar të ri të Netflix, kushtuar karrierës së Schumacher.
Filmi “Schumacher ’94: The Birth of a Legend”, me një kohëzgjatje prej 105 minutash, i kushtohet sezonit të paharrueshëm të vitit 1994, kur piloti gjerman fitoi titullin e parë nga shtatë kampionatet botërore të Formula 1 gjatë karrierës së tij.
Në dokumentar paraqiten gjithashtu momente nga marrëdhënia e Michael dhe Corinna Schumacher, që nga njohja e tyre në fillim të viteve ’90, deri te periudha e vështirë që pasoi aksidentin e 29 dhjetorit 2013 në Alpet franceze, raporton Daily Mail.
Corinna Schumacher vijon të qëndrojë pranë bashkëshortit të saj dhe është kujdestarja kryesore e tij, me ndihmën e një ekipi infermierësh dhe terapistësh që qëndrojnë pranë tij 24 orë në ditë.
Në të njëjtën kohë, ajo ka zgjedhur ta mbrojë rreptësisht privatësinë e tij, duke shmangur deklaratat publike lidhur me gjendjen e tij shëndetësore.
Pjesëmarrja e saj në dokumentarin e ri është një nga rastet e rralla kur ajo ka folur publikisht që prej aksidentit. Më herët, Corinna ishte përfshirë edhe në dokumentarin e Netflix “Schumacher”, të publikuar në vitin 2021.
Corinna ka folur për vitet e para të lidhjes së tyre dhe ka zbuluar se kënga “Rush Rush” e Paula Abdul kishte një domethënie të veçantë për çiftin.
“Kjo ishte kënga jonë atëherë. Kur e dëgjoj sot dhe jam në makinë, qaj vetëm”, është shprehur ajo.
Ajo kujtoi gjithashtu reagimin e parë të nënës së saj ndaj lidhjes me Schumacher, pasi në fillim nuk kishte një opinion pozitiv për pilotin e ri.
“Nëna ime ishte krejtësisht kundër. Michael ishte gjithmonë në pistë dhe gjithmonë nxirrte të tjerët jashtë”, tregoi Corinna, duke përshkruar me humor reagimin e nënës së saj.
Bashkëshortja e Schumacher ka rrëfyer edhe disa episode nga periudha kur piloti gjerman merrte mijëra letra nga fansat. Sipas saj, një fanse e re me emrin Juta i dërgonte Michael, bashkë me letrat, edhe të brendshme.
Dokumentari nuk i referohet gjendjes së sotme shëndetësore të Michael Schumacher, megjithatë Corinna shfaqet e emocionuar teksa flet për vitin 1994 dhe sukseset e mëdha të bashkëshortit të saj.
“Zemra ime rreh për të kur fiton. Dhe kur humbet. Zemra ime është gjithmonë aty”, thotë ajo. “Kur je me dikë që mezi pret ta shohësh çdo ditë, është diçka e mrekullueshme”, shton Corinna.
Pas aksidentit në Méribel të Francës, ku Schumacher pësoi një dëmtim të rëndë në kokë, familja Schumacher ka zgjedhur të mbajë larg vëmendjes së publikut çdo informacion lidhur me ecurinë e rikuperimit të tij.
Në dokumentarin e vitit 2021, Corinna kishte deklaruar se Michael “është këtu, ndryshe, por është këtu”, duke theksuar se familja vazhdon të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur.
“Michael gjithmonë na ka mbrojtur dhe tani ne mbrojmë Michael-in”, kishte deklaruar ajo.