
Një fotografi e rrallë ka bashkuar katër prej emrave më të njohur të kinemasë botërore: Martin Scorsese, Robert De Niro, Leonardo DiCaprio dhe Daniel Day-Lewis.
Shkrepja është realizuar nga artisti francez JR në kuadër të aktiviteteve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në këtë kuadër, presidenti francez Emmanuel Macron nderoi regjisorin Martin Scorsese dhe aktorin Robert De Niro me “Legjionin e Nderit”, dekorata më e lartë e Republikës së Francës.
Gjatë ceremonisë, Macron u shpreh se dy ikonat e kinemasë amerikane tashmë janë “paksa francezë”.
Scorsese u vlerësua për angazhimin e tij ndër vite në restaurimin dhe ruajtjen e filmave historikë, si dhe për mbështetjen ndaj kinemasë së pavarur.
Ndërsa De Niro u nderua për kontributin në krijimtarinë e pavarur audiovizive dhe angazhimin e tij në edukimin mediatik.
Fotografia e katër yjeve të kinemasë ka tërhequr vëmendjen për shkak të peshës që secili prej tyre ka në historinë e filmit. Scorsese dhe De Niro kanë bashkëpunuar në disa prej filmave më të rëndësishëm të kinemasë amerikane, ndërsa DiCaprio ka qenë një tjetër bashkëpunëtor i rëndësishëm i regjisorit.
Daniel Day-Lewis, ndërkohë, konsiderohet një prej aktorëve më të vlerësuar të brezit të tij dhe është fitues i tre çmimeve Oscar për aktorin më të mirë.
Katër emrat, së bashku, përfaqësojnë dekada të historisë së kinemasë dhe një koleksion prej tetë çmimesh Oscar të fituara gjatë karrierave të tyre./Versus.al

