FOTO/ E gjithë vëmendja te stili i tij, Lamine Yamal shfaqet me dy çanta luksoze që kushtojnë…
Pas 12 vitesh nga aksidenti i rëndë që ndryshoi jetën e Michael Schumacher, bashkëshortja e tij, Corinna, ka dhënë një rrëfim të rrallë për jetën e tyre dhe kujtimet që lidhen me kampionin e Formula 1.
Corinna shfaqet në dokumentarin e ri të Netflix, “Schumacher ’94: The Birth of a Legend”, i cili fokusohet te sezoni i vitit 1994, kur Michael Schumacher fitoi titullin e tij të parë botëror me Benetton.
Duke kujtuar fillimet e lidhjes së tyre, Corinna tregon se kënga “Rush Rush” e Paula Abdul kishte një domethënie të veçantë për çiftin.
“Ajo ishte kënga jonë atëherë. Kur e dëgjoj sot dhe jam në makinë, qaj me vete”, rrëfen ajo.
Corinna kujton gjithashtu se nëna e saj nuk e kishte mbështetur lidhjen me Schumacher në fillim. Ajo tregon se Michael kalonte shumë kohë në pistën e kartingut dhe se kjo ishte një nga arsyet pse nëna e saj kishte krijuar një përshtypje jo të mirë për të.
Në dokumentar, Corinna ndan edhe një tjetër episod nga vitet e para të karrierës së Michael. Ajo tregon se piloti gjerman merrte shumë letra nga fansat, mes tyre edhe nga një vajzë që i dërgonte vazhdimisht të brendshme bashkë me postën e fansave. Vajza quhej Jutta dhe, sipas Corinnës, emri i saj u kthye në një shprehje të zakonshme të Schumacher.
Duke folur për emocionet që përjetonte gjatë karrierës së bashkëshortit të saj, Corinna shprehet:
“Zemra ime rreh për të kur fiton. Dhe kur humbet. Zemra ime është gjithmonë aty.”
Dokumentari nuk jep detaje të reja konkrete për gjendjen aktuale shëndetësore të 57-vjeçarit. Familja Schumacher ka ruajtur prej vitesh një privatësi të rreptë rreth jetës së tij pas aksidentit të 29 dhjetorit 2013, kur ai pësoi një dëmtim të rëndë gjatë skive në Alpet franceze.
Corinna ka qenë prej vitesh pranë bashkëshortit të saj, duke u kujdesur për të së bashku me një ekip infermierësh dhe terapistësh. Në dokumentarin e vitit 2021 për Schumacher, ajo kishte thënë se Michael ishte ende me familjen, edhe pse “ndryshe”, dhe se ata vazhdonin të bënin gjithçka për ta ndihmuar dhe për t’i ofruar kujdesin e nevojshëm.
“Privatja është private”, kishte theksuar atëherë Corinna, duke shpjeguar se ruajtja e privatësisë së Michael ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për familjen.
Top Channel