
OKB-ja është një organizatë e lindur nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, me një mision të qartë: të parandalojë një tjetër luftë globale dhe të krijojë mekanizma për zgjidhjen paqësore të konflikteve. Por, tetë dekada më vonë, bota është sërish e përfshirë nga luftërat, rivalitetet e fuqive të mëdha dhe krizat globale. Nga Ukraina dhe Lindja e Mesme, te Sudani dhe ngushtica e Hormuzit, pyetja është gjithnjë e më e fortë: A ka ende Kombet e Bashkuara fuqinë për të ruajtur paqen?
“Nëse do të jepja dorëheqjen në këtë moment të vështirë dhe të rrezikshëm, do ta lija organizatën në mëshirë të fatit. Nuk kam të drejtë ta bëj këtë, sepse kam përgjegjësi ndaj të gjitha shteteve anëtare, për të cilat kjo organizatë është vendimtare. Një përgjegjësi që tejkalon çdo konsideratë tjetër.”, tha Dag Hammarskjold, ish-Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
Fjalët e Hammarskjöld-it, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së OKB-së, i përkasin një epoke tjetër. Por dilema mbetet e njëjtë: Sa e aftë është organizata për të vepruar kur fuqitë e mëdha nuk bien dakord? Profesor Dirk Druet, ish-zyrtar i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, thotë se pikërisht këtu qëndron edhe fuqia, edhe dobësia e organizatës.
“Kombet e Bashkuara u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore si një organizatë ndërkombëtare, e përbërë nga shtete anëtare. Roli i saj kryesor, i përcaktuar që në hyrje të Kartës së OKB-së, është të shpëtojë brezat e ardhshëm nga shkatërrimi, vuajtjet dhe vdekja që lidhen me luftërat globale.”, tha Dirk Druet.
“Karta e OKB-së krijoi mekanizma ndërkombëtarë, si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku shtetet mund të zgjidhin në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet e tyre, për shembull, për kufijtë apo aksesin në rrugët ujore. Ajo krijoi gjithashtu Këshillin e Sigurimit, i cili është përgjegjës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.”, tha Dirk Druet.
Këshilli i Sigurimit është një prej instrumenteve më të fuqishme të organizatës. Kur shpërthen një konflikt, ai mund të vendosë sanksione, të mbështesë proceset e paqes dhe, në rrethana të caktuara, të autorizojë operacione paqeruajtëse.
“Kur shpërthen një konflikt, Këshilli i Sigurimit mund të marrë një sërë masash për t’i nxitur, apo edhe për t’i detyruar palët ndërluftuese të zgjidhin mosmarrëveshjet. Këto masa mund të përfshijnë sanksione ekonomike dhe të armëve, mbështetje për proceset e paqes, madje edhe dërgimin e misioneve të armatosura paqeruajtëse për të monitoruar armëpushimet, ruajtur stabilitetin dhe mbrojtur civilët nga dhuna.”, tha Dirk Druet.
Por, në krizën e sotme ndërkombëtare, kufijtë e kësaj fuqie shfaqen qartë. Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një prej pikave më të nxehta të përplasjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Sulmet, tensionet detare dhe kërcënimet ndaj lundrimit ndërkombëtar kanë ngritur shqetësimin për një krizë me pasoja përtej rajonit. Në Këshillin e Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm António Guterres ka kërkuar hapjen e menjëhershme të ngushticës.
“Të drejtat dhe liritë e lundrimit përmes ngushticës së Hormuzit duhet të respektohen, siç është afirmuar nga Rezoluta 2817 e këtij Këshilli. Këto parime duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë. I bëj thirrje palëve: Hapeni ngushticën. Lërini anijet të kalojnë. Pa tarifa. Pa diskriminim. Le të rifillojë tregtia. Le të marrë frymë ekonomia globale.”, António Guterres
Por apeli i OKB-së nuk mjafton gjithmonë, sepse organizata funksionon vetëm brenda kufijve që i vendosin vetë shtetet anëtare.
“Kur bëhet fjalë për konflikte të mëdha ndërkombëtare, OKB-ja është po aq efektive sa duan të jenë shtetet e saj anëtare. Kur ka një konsensus të fortë për nevojën për t’i dhënë fund një konflikti dhe për mënyrën se si duhet zgjidhur ai, OKB-ja mund të jetë jashtëzakonisht efektive. Por, kur ka mosmarrëveshje mes aktorëve kryesorë, gjithçka bëhet shumë më e vështirë. Dhe këtë e shohim sot në shumë prej konflikteve që vazhdojnë në botë.”, tha Dirk Druet.
Ukraina është një prej shembujve më të qartë. Lufta ka hyrë në vitin e katërt, ndërsa Karta e OKB-së, e cila ndalon përdorimin e forcës kundër integritetit territorial të shteteve, është vënë nën presionin më të madh në dekada.
Lufta ngre edhe një tjetër pyetje: Nëse dy prej fuqive më të mëdha të botës, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, janë në konflikt të drejtpërdrejtë politik, sa hapësirë i mbetet OKB-së për të ndërmjetësuar?
“Shumë njerëz shohin luftërat që zhvillohen sot dhe përçarjet e shumta në sistemin ndërkombëtar dhe, në mënyrë të kuptueshme, arrijnë në përfundimin se OKB-ja nuk është efektive dhe se nuk ka dhëmbë.
Por OKB-ja është po aq efektive sa duan të jenë shtetet anëtare. Kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë thellësisht në kundërshtim me njëra-tjetrën, për shembull, bëhet shumë e vështirë të ndërmjetësosh një konflikt.”, tha Dirk Druet.
Megjithatë, të thuash se OKB-ja është pa fuqi do të ishte e pasaktë. Në dekadat e fundit, mijëra ushtarë, policë dhe punonjës civilë të Kombeve të Bashkuara janë vendosur në disa prej zonave më të rrezikshme të botës. Nga Libani dhe Sudani i Jugut, te Republika Demokratike e Kongos, Haiti apo Çadi.
Misionet paqeruajtëse kanë pasur objektiva të ndryshëm: mbrojtjen e civilëve, monitorimin e armëpushimeve dhe krijimin e kushteve për zgjidhje afatgjata.
“Në të njëjtën kohë, nuk do të thosha aspak se OKB-ja është pa dhëmbë. Në të gjithë botën shohim operacione të mëdha paqeruajtëse, që vendosin mijëra policë, ushtarë dhe civilë për të ndihmuar në mbrojtjen e popullsisë, për të sjellë stabilitet në vendet në luftë dhe për të mbështetur zgjidhjet afatgjata të konflikteve.”, tha Dirk Druet.
Dhe roli i OKB-së nuk kufizohet vetëm te luftërat. Në Çad, organizatat e Kombeve të Bashkuara përballen me pasojat e konflikteve dhe me miliona njerëz të zhvendosur. Në Sudan, lufta mes fraksioneve rivale ushtarake ka krijuar një prej krizave më të rënda humanitare në botë. Ndërsa në Gaza, shkatërrimi masiv pas sulmeve të 7 tetorit ka vendosur në qendër të vëmendjes operacionet humanitare të OKB-së.
Por kërcënimet e shekullit XXI nuk janë vetëm luftërat tradicionale. Inteligjenca artificiale, zhvillimet biomjekësore dhe teknologjitë e reja të armëve po ndryshojnë botën me një shpejtësi që institucionet ndërkombëtare e kanë të vështirë ta ndjekin.
“Kur shohim shpejtësinë dhe përmasat e zhvillimit të teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale, por edhe ndryshimet në fushën biomjekësore dhe zhvillimin e armëve, është e drejtë të themi se OKB-ja po përpiqet të ecë me ritmin e këtyre ndryshimeve.
OKB-ja, si një organizatë që funksionon përmes dialogut dhe proceseve konsultative, nga natyra kërkon kohë. Ndërkohë, në këto fusha gjërat po ndryshojnë jashtëzakonisht shpejt.”, tha Dirk Druet.
Dhe pikërisht këtu, sipas Druet, qëndron një prej sfidave më të mëdha të së ardhmes së organizatës.
“Së pari, mendoj se OKB-ja duhet të reformohet për të përmirësuar aftësinë e saj për t’u angazhuar në mënyrë më aktive me teknologjitë e reja.
Kjo kërkon profile të reja, ekspertizë të re dhe partneritete të reja me sektorët ku po ndodhin këto ndryshime të shpejta, të cilat po ndryshojnë botën në mënyra domethënëse dhe ku OKB-ja duhet të jetë e pranishme.”, tha Dirk Druet.
Por sfida për OKB-në vjen edhe nga vetë shtetet që e krijuan dhe e financojnë. Për vite me radhë, liderë të ndryshëm kanë vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve multilaterale dhe kanë kërkuar më shumë hapësirë për sovranitetin kombëtar. Shtetet e Bashkuara kanë reduktuar financimin për disa programe të OKB-së dhe janë tërhequr nga një sërë mekanizmash të organizatës. Por, sipas ekspertit, realiteti në terren është më kompleks.
“Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga një sërë mekanizmash të rëndësishëm të OKB-së dhe, në veçanti, shkurtimi i financimit për programe të ndryshme të ndihmës, ka pasur një ndikim të rëndësishëm në operacionet në terren dhe në aftësinë e OKB-së për të punuar në nivel ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve globale.”, tha Dirk Druet.
Por ndoshta sfida më e madhe është vetë struktura e organizatës. Këshilli i Sigurimit ka 15 anëtarë. Pesë prej tyre – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – janë anëtarë të përhershëm dhe kanë të drejtën e vetos.
Pikërisht ky mekanizëm është prej vitesh në qendër të thirrjeve për reformë. Shumë shtete argumentojnë se një strukturë e krijuar në vitin 1945 nuk pasqyron më realitetin gjeopolitik të shekullit XXI.
A duhet të ndryshojë Këshilli i Sigurimit? A duhet të zgjerohet numri i anëtarëve të përhershëm? Dhe, mbi të gjitha: A mund të mbetet efektive një organizatë globale, kur fuqitë kryesore që e përbëjnë nuk bien dakord për mënyrën se si duhet të funksionojë bota?
(A2 Televizion)