Këshilli i Ministrave në Itali ka miratuar një dekret për shkollat që përfshin, ndër të tjera, kufizime për përbërjen e klasave dhe ndalimin e mbulimit të fytyrës gjatë aktiviteteve shkollore.
“Sot miratuam në Këshillin e Ministrave dekretin për shkollën: një kufi prej 30% në klasa për nxënësit që nuk e njohin mjaftueshëm italishten, më shumë mjete për të mësuar gjuhën tonë dhe ndalimin e burkës dhe hixhabit në shkollë”, shkroi kryeministrja Giorgia Meloni në rrjetet sociale.
Sipas saj, këto janë masa që ndihmojnë integrimin, shmangin krijimin e “klasave geto” dhe u japin të gjithë nxënësve mundësi të barabarta.
“Kjo është rruga që duam të ndjekim: një shkollë që integron pa hequr dorë nga rregullat, mbështet ata që kanë më shumë vështirësi dhe u krijon të gjithëve kushtet për ta nisur nga e njëjta pikë”, tha Meloni.
Prindërit mund të gjobiten nëse nuk ndjekin kursin e italishtes
Ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara, tha pas mbledhjes së qeverisë se përfshirja e prindërve në shkollimin e fëmijëve është vendimtare për suksesin e tyre. Sipas tij, kur vështirësitë e rënda gjuhësore pengojnë përfshirjen e një fëmije në shkollë, duhet të nxitet edhe mësimi i italishtes nga prindërit.
Shkolla do të ketë detyrimin t’i raportojë këto raste te shërbimet sociale, të cilat do të organizojnë një program për mësimin e italishtes nga prindërit. Nëse ata nuk e ndjekin programin, parashikohen gjoba nga 200 deri në 1 mijë euro, tha ministri.
Një version i mëparshëm i projektdekretit parashikonte edhe largimin e të miturit nga familja nëse prindërit nuk përmbushnin këtë detyrim.
Ndalimi i mbulimit të fytyrës në shkollë
Sipas projektdekretit, përveç rasteve kur ka arsye të veçanta shëndetësore ose sigurie, ndalohet pjesëmarrja me fytyrë të mbuluar në aktivitetet mësimore dhe jashtëmësimore, si edhe në takimet mes shkollës dhe familjes. Ndalimi vlen për çdo mënyrë mbulimi që pengon identifikimin e fytyrës.
Për shkeljen parashikohet gjobë administrative nga 200 deri në 1 mijë euro. Kur shkelja kryhet nga një i mitur, gjoba i vendoset prindit.
Kufiri prej 30% në klasat e para
Në shkollat fillore, sipas projektdekretit, nxënësit që nuk kanë shtetësi italiane dhe që nuk kanë lindur në Itali ose nuk kanë ndjekur të paktën dy vite kopsht, nuk duhet të përbëjnë më shumë se 30% të nxënësve në secilën klasë të parë.
Në ciklin e mesëm të ulët dhe të lartë, kufiri prej 30% në klasat e para zbatohet për nxënësit pa shtetësi italiane që nuk kanë përfunduar me sukses të paktën tre vite shkollore në sistemin arsimor italian.
Rreth 17,5 milionë euro për mësimin e italishtes
Dekreti parashikon rreth 17,5 milionë euro për shkollat ku nuk është e mundur të respektohet kufiri prej 30%. Sipas projektit, fondi do të jetë 3,4 milionë euro për vitin 2027 dhe 14.139.760 euro në vit duke nisur nga viti 2028.
Paratë do të përdoren për aktivitete jashtëmësimore që forcojnë njohuritë bazë të gjuhës italiane. Këto aktivitete mund të zhvillohen me më shumë mësues, në bashkëpunim me qendrat e arsimit për të rritur, organizatat e sektorit të tretë ose institucionet vendore.
14 milionë euro për shërbimet dixhitale
Për vitet 2026–2027 parashikohen edhe 14 milionë euro për thjeshtimin dhe digjitalizimin e shërbimeve administrative në shkolla: 1 milion euro në vitin 2026 dhe 13 milionë në vitin 2027.
Programi përfshin zhvillimin e shërbimeve digjitale për administrimin e personelit dhe procedurave shkollore, si edhe krijimin e një platforme të përbashkët për planifikimin, vlerësimin dhe dokumentacionin administrativ të shkollave.
Emërtime të reja për shkollat teknike dhe profesionale
Sipas projektdekretit, institutet teknike do të quhen “lice teknologjike”, ndërsa institutet profesionale “lice profesionale”. Për arsimin teknologjik dhe profesional parashikohen 20 milionë euro për vitin 2026 dhe 10 milionë euro për vitin 2027.








Komente
Komento