Një skemë e dyshuar kontrabande me përmasa të mëdha është zbuluar në Maqedoninë e Veriut, ku autoritetet thonë se mbi 69 milionë cigare janë futur në qarkullim duke shmangur procedurat doganore dhe pagesën e detyrimeve.
Hetimi, i fokusuar në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, ka nxjerrë në pah edhe përfshirjen e dyshuar të punonjësve të policisë dhe doganave. Sipas autoriteteve, dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit llogaritet në mbi 377 milionë denarë, rreth 6 milionë euro.
“Filter 2”, 13 të ndaluar dhe kontrolle në 23 ambiente
Hetimi kulmoi këtë të enjte me operacionin “Filter 2”, gjatë të cilit policia dhe strukturat doganore ushtruan kontrolle në 23 lokacione.
Në kuadër të operacionit u ndaluan 13 persona, mes tyre katër doganierë, dy efektivë policie, dy drejtues kamionësh dhe pesë persona të tjerë.
Një pjesë e skemës, sipas hetuesve, lidhej me transportin tranzit të cigareve.
Kamionët hynin me cigare, por dilnin bosh
Në tre prej shtatë rasteve të identifikuara, kamionët hynin në vend përmes pikës kufitare të Bogorodicës, të ngarkuar me cigare që në dokumentacion figuronin si mall tranzit.
Në kushte normale, ngarkesa duhej të kalonte nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të dilte nga një tjetër pikë kufitare.
Por hetimi dyshon se cigaret shkarkoheshin brenda vendit, ndërsa kamionët vijonin rrugën drejt Tabanocit pa ngarkesën fillestare. Pavarësisht kësaj, procedurat doganore mbylleshin sikur malli të kishte dalë nga territori bashkë me kamionët.
Katër raste të tjera: hyrja nuk regjistrohej fare
Hetuesit kanë evidentuar edhe katër raste të tjera, të cilat paraqesin një tjetër mënyrë veprimi.
Sipas dyshimeve, kamionët me cigare hynin nga Bogorodica, por kalimi i tyre nuk pasqyrohej në sistem nga punonjësit përgjegjës të policisë dhe doganave.
Pas hyrjes, ngarkesa shkarkohej dhe cigaret hidhej në treg pa dokumentacionin përkatës dhe pa shlyer detyrimet doganore e fiskale.
Në shtatë rastet e hetuara, sasia e cigareve që dyshohet se përfundoi në treg arrin në 69.350.000 copë.
Në hetim edhe kompanitë e transportit dhe spedicionit
Çështja nuk kufizohet vetëm te zyrtarët kufitarë. Hetimi përfshin edhe kompani të transportit, importit dhe spedicionit, si dhe persona fizikë që dyshohet se kanë pasur rol në skemë.
Më 23 shtator, një ditë përpara operacionit, Drejtoria e Doganave kishte referuar në organet kompetente kallëzime penale për 18 persona dhe tri kompani.
Në listën e personave të kallëzuar janë edhe tre policë dhe katër doganierë.
Dyshimet penale lidhen me kontrabandën, mashtrimin doganor, shpërdorimin e detyrës, mashtrimin kompjuterik dhe shmangien e pagesës së akcizës.
Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, deklaroi se hetimi ka evidentuar edhe përfshirjen e personave që kishin për detyrë të kontrollonin dhe parandalonin kontrabandën.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet zgjerimi i listës së personave të dyshuar.













