AKTUALITET /

Atentat në Selanik/ Qëlluan me armë zjarri ndaj 32-vjeçarit por nuk e plagosën. Policia greke arreston 3 shqiptarë

Arrestimet u kryen në orët e mëngjesit të së mërkurës, gjatë një operacioni të koordinuar të policisë greke, në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara ndaj tyre.

Shkruar nga Versus

Atentat në Selanik/ Qëlluan me armë zjarri ndaj

Policia greke ka zbardhur një atentat të mbetur në tentativë, i ndodhur në janar të vitit 2025 në Selanik, ku shënjestër ishte 32-vjeçari shqiptar Danjel Dushku.

Për ngjarjen janë arrestuar tre shtetas shqiptarë, të dyshuar si autorë të sulmit: Robert Elezaj, 33 vjeç, Sergo Elezaj, 31 vjeç dhe Rueldi Dragjoshi, 26 vjeç. Arrestimet u kryen në orët e mëngjesit të së mërkurës, gjatë një operacioni të koordinuar të policisë greke, në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara ndaj tyre.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 8 janarit dhe në orët e para të 9 janarit 2025, në një zonë të Selanikut. Tre të dyshuarit dyshohet se iu afruan 32-vjeçarit dhe hapën zjarr në drejtim të tij.

Sipas policisë greke, Robert Elezaj ka qëlluar me pistoletë ndaj Dushkut, por nuk ka arritur ta godasë. Nga të shtënat mbeti i plagosur një person tjetër që ndodhej pranë tij, ndërsa u dëmtua edhe një dyqan në zonë.

Edhe Rueldi Dragjoshi dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të Dushkut, pa e goditur atë. Ndërkohë, Sergo Elezaj dyshohet se i ka drejtuar armën 32-vjeçarit dhe se ka ndihmuar në organizimin dhe realizimin e sulmit.

Hetuesit thonë se Sergo Elezaj kishte marrë me qira automjetin me të cilin tre të dyshuarit shkuan në vendngjarje. Ai qëndroi me ta gjatë përplasjes dhe më pas u largua së bashku me dy të dyshuarit e tjerë.

Nga ana tjetër, sipas autoriteteve greke, edhe Danjel Dushku ka përdorur armë zjarri gjatë përplasjes. Ai dyshohet se ka qëlluar në drejtim të tre personave, pa i plagosur. Plumbat kanë dëmtuar automjetin me të cilin ata kishin mbërritur në vendngjarje, si dhe një tjetër automjet të parkuar.

Tentoi të arratisej nga policia

Gjatë operacionit për arrestimin e tre shqiptarëve, Sergo Elezaj ka tentuar t'u largohej efektivëve. Sipas policisë, ai doli në ballkonin e banesës, kaloi në çatinë e një shtëpie ngjitur dhe qëndroi aty deri sa u lokalizua dhe u arrestua.

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me karikator, shtatë fishekë dhe dy karta identiteti të falsifikuara.

Autoritetet greke konstatuan gjithashtu se 31-vjeçari nuk dispononte dokumentacionin e kërkuar ligjor dhe rezultonte person në kërkim, pasi ndaj tij kishte një dënim të pazbatuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Robert Elezaj rezultonte person në kërkim. Sipas policisë greke, ndaj 33-vjeçarit kishte një dënim në pritje për lehtësimin e transportit të shtetasve të vendeve të treta që nuk plotësonin kushtet për të hyrë në Greqi. Edhe ai nuk dispononte dokumentet e kërkuara ligjore.

Ndërkohë, 26-vjeçari Rueldi Dragjoshi rezulton i dënuar më parë në Francë. Sipas autoriteteve greke, në vitin 2021 ai ishte dënuar me 15 muaj burgim për trafikim heroine dhe kokaine.

Të tre të arrestuarit tashmë do të përballen me procedurat gjyqësore në Greqi, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të atentatit./Versus.al

Poll