
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping janë ulur në tryezën e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, në një takim që zhvillohet nën vëmendjen e veçantë të opinionit ndërkombëtar.
Xi u prit nga Trump me një ceremoni zyrtare dhe nderime shtetërore, përpara se dy presidentët të vijonin takimin në Zyrën Ovale, së bashku me delegacionet e tyre.
Në tryezën e bisedimeve janë vendosur disa prej çështjeve më të rëndësishme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit. Mes tyre pritet të jenë tregtia, inteligjenca artificiale dhe Tajvani.
Trump, në deklaratat para takimit, dha një mesazh pozitiv për raportet me Kinën. Presidenti amerikan tha se është krenar për marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe se të dyja palët do të vazhdojnë bashkëpunimin.
Xi Jinping e vuri theksin te interesat e përbashkëta, pavarësisht dallimeve mes dy vendeve. Sipas tij, SHBA-ja dhe Kina janë shtete të ndryshme, por interesat e tyre janë “thellësisht të ndërthurura”.
Presidenti kinez tha se dy vendet mund të ndërtojnë besim të ndërsjellë dhe të zgjerojnë bashkëpunimin.
Në kuadër të takimit u bë e ditur edhe një nismë për rritjen e shkëmbimeve mes të rinjve. Xi Jinping ftoi 100 mijë të rinj amerikanë të vizitojnë Kinën gjatë pesë viteve të ardhshme për programe studimi dhe shkëmbimi.
Detajet e nismës nuk janë bërë ende të ditura. Ajo synon të rrisë kontaktet njerëzore dhe shkëmbimet akademike e kulturore mes dy vendeve.
Takimi Trump-Xi vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha të botës mbeten të ndikuara nga çështjet tregtare dhe teknologjike, ndërsa Tajvani vijon të jetë një prej pikave më të ndjeshme në raportet SHBA-Kinë./Versus.al

