Kontrabanda e cigareve në Maqedoninë e Veriut, 13 të ndaluar mes tyre policë e doganierë, i shkaktuan shtetit 6 mln euro dëm

24 Shtator 2026, 19:15Rajoni TEMA
Kontrabanda e cigareve në Maqedoninë e Veriut, 13 të ndaluar mes

Kamionët hynin në Maqedoninë e Veriut të ngarkuar me cigare dhe dilnin bosh, por në sistemin doganor regjistroheshin sikur e kishin mallin akoma në ngarkesë. Kjo është një nga skemat që autoritetet thonë se zbuluan gjatë hetimit për kontrabandën e mbi 69 milionë cigareve në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, qw i shkaktoi buxhetit tw shtetit njw dwm prej mbi 377 milionë denarësh, ose mbi 6 milionë euro.

Zbulimi i hetimit çoi këtë të enjte, në operacionin “Filter 2”. Policia dhe Doganat kryen kontrolle në 23 vende dhe ndaluan 13 persona: katër doganierë, dy policë, dy shoferë dhe pesë persona të tjerë.

Sipas Drejtorisë së Doganave, në tre nga shtatë rastet e zbuluara, kamionët hynin me cigare nga pika kufitare e Bogorodicës. Ngarkesa deklarohej në tranzit, çka do të thoshte se duhej të kalonte përmes Maqedonisë së Veriut dhe të dilte nga vendi. Në vend të kësaj, cigaret shkarkoheshin në territorin maqedonas. Kamionët largoheshin bosh nga pika e Tabanocit, ndërsa procedura doganore mbyllej sikur malli të kishte dalë bashkë me ta.

Në katër rastet e tjera, hetuesit dyshojnë se kamionët e ngarkuar me cigare hynë po nga Bogorodica, por hyrja e tyre nuk u regjistrua as nga doganierët dhe as nga policët. Cigaret më pas u shkarkuan dhe u hodhën në treg pa dokumentacion doganor e pa paguar detyrimet.

Në total, autoritetet thonë se në këto shtatë raste janë futur në qarkullim 69.350.000 cigare. Hetimi përfshin kompani transporti, importi dhe spedicionere, si edhe persona fizikë e zyrtarë kufitarë.

Një ditë para kontrolleve, më 23 shtator, Drejtoria e Doganave paraqiti kallëzime penale ndaj 18 personave dhe tri kompanive. Mes të kallëzuarve janë tre policë dhe katër doganierë. Kallëzimet përfshijnë dyshime për kontrabandë, mashtrim doganor, shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe shmangie të pagesës së akcizës.

Drejtori i Doganave, Boban Nikollovski, tha se hetimi ka zbuluar përfshirjen e zyrtarëve që kishin për detyrë të parandalonin kontrabandën. Sipas autoriteteve, veprimet hetimore vijojnë dhe numri i personave të përfshirë mund të rritet.

Lini një Përgjigje