AKTUALITET /

EMRI/ Itali, po kryente punime, bie në gropën e ashensorit 51-vjeçar shqiptar. U zbulua nga zilja e celularit

Altin Kokici, banor i Sossano-s dhe pronar i një kompanie ndërtimi në Altino, kishte vetëm disa ditë që kishte nisur punimet në objekt.

Shkruar nga Versus
EMRI/ Itali, po kryente punime, bie në gropën e ashensorit

 

Një 51-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident në vendin e punës në Itali. Viktima, Altin Kokici, u gjet i pajetë në boshtin e ashensorit të një qendre fitnesi, ku po kryente punime mirëmbajtjeje.

Mediat lokale shkruajnë se, ngjarja ndodhi në orët e para të 24 shtatorit. Sipas raportimeve të mediave italiane, policia u njoftua dhe gjeti trupin e 51-vjeçarit në boshtin e ashensorit.

Kokici, banor i Sossano-s dhe pronar i një kompanie ndërtimi në Altino, kishte vetëm disa ditë që kishte nisur punimet në objekt. Ai ishte personi që merrej me mirëmbajtjen e ashensorëve dhe kishte akses të pavarur në kantier.

Trupi i viktimës u nxor pak para orës 07:00, në momentin kur punonjësit e qendrës së fitnesit po nisnin turnin e mëngjesit. Me kërkesë të policisë, palestra u mbyll përkohësisht dhe klientët u kthyen mbrapsht. Aktiviteti rifilloi rreth orës 08:30.

Në objekt ndodheshin dy kantiere, të administruara nga kompani të ndryshme. Për shkak të një lidhjeje të mundshme me aksidentin, edhe kantieri i dytë u vu fillimisht nën sekuestro, por më pas kjo pistë u përjashtua pas verifikimeve të autoriteteve.

Rrethanat dhe dinamika e aksidentit mbeten ende për t'u sqaruar. Hetimi paraprak do të drejtohet nga prokurorja Maria D'Arpa, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar se si ndodhi rënia fatale në boshtin e ashensorit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe nga sindikatat. Sekretari i Përgjithshëm i UIL Veneto, Roberto Toigo, e cilësoi rastin një tragjedi dhe theksoi rëndësinë e masave të sigurisë në vendin e punës, përfshirë përdorimin e pajisjeve mbrojtëse dhe mjeteve të posaçme të sigurimit./Versus.al

Poll