E enjte, 24 Shtator 2026 Zilia deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Siguria kombëtare është në pikëpyetje serioze”, analisti: Duhet hetim i plotë

Analisti Ergys Mërtiri e cilësoi të rëndë çështjen ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën masën “arrest në shtëpi” dhe po hetohet për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të të dhënave sekrete.

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me AleksandërFurxhi, Mërtiri tha se rasti ngre pikëpyetje serioze për sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e institucioneve, ndërsa kritikoi opozitën për mënyrën se si po e trajton çështjen në Parlament. Ai argumentoi se nevojitet transparencë dhe hetim i plotë për të përcaktuar nëse dhe deri në çfarë niveli janë cenuar informacionet sensitive.

Duke komentuar reagimin e mazhorancës, Mërtiri tha se krahasimet me SHIK-un e viteve ’90 nuk e sqarojnë thelbin e çështjes. Sipas tij, zhvillimet mund të ndikojnë edhe në klimën politike përpara zgjedhjeve lokale, duke thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe partive politike.

Intervista e plotë:

Reklamë

Aleksandër Furxhi:  Një ngjarje që ka tronditur shumicën socialiste dhe qeverinë e saj dhe që ka në fokus ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Kombëtar, Vlora Hyseni. Fillimisht, një opinion i përgjithshëm për këtë ngjarje…

Ergys Mërtiri: Kjo është një ngjarje sigurisht e rëndë. Është një ngjarje e cila tregon mungesën e thellë të garancisë që ky shtet ka në institucionet e veta. Është cënuar sot besueshmëria tek institucioni i cili ka për detyrë të jetë garanti i sigurisë kombëtare në këtë vend, dhe për sa kohë ne kemi një shef të shërbimit sekret e cila rrjedh informacione sekrete tek krimi i organizuar, çfarë sigurie do të ketë ky vend që këto informacione nuk kanë shkuar edhe më lart, në nivele të tjera shumë më të rrezikshme për sigurinë kombëtare? Kështu që në këtë kuptim, ne për herë të parë kemi vërtet nivele të frikshme të korrupsionit të cilat shkojnë deri në cënim të garancisë dhe sigurisë kombëtare në vend. Kjo është vërtet shqetësuese dhe tregon nivelin e thellë të kalbësisë që ka përfshirë këtë qeveri.

Aleksandër Furxhi: Afërmendsh që opozita do ta bënte kalë beteje një çështje të tillë, dhe kush nuk do ta bënte. Por si mendon në lidhje me taktikën që zgjodhi sot opozita, me atë sjellje, me atë qëndrim që mbajti në Parlament dhe që ka vendosur me sa duket ta mbajë në vijimësi lidhur me këtë çështje?

Ergys Mërtiri: Mua më duket jo serioze mënyra se si po trajtohet. Pra nga njëra anë kemi mungesë të thellë serioziteti në trajtimin e institucioneve të shtetit e cila ka çuar në këtë gjendje, por nga aspekti tjetër kemi mungesë të thellë serioziteti nga ana e opozitës, e cila nuk lejon ose nuk ka interes të bëjë vërtet debat publik. Po i rikthehet zhurmuesve dhe përdorimit të skenës së Kuvendit për të inskenuar shfaqje të cilat vërtet nuk çojnë ujë në asnjë vend dhe nuk e vendosin realisht qeverinë përballë një presioni real. Në thelb, ajo çfarë do duhej është që në këto momente të kishte një informacion të saktë, të ngrihej ndoshta edhe një komision hetimor për të ditur se deri ku ka shkuar kjo çështje dhe sa vërtet kjo e prek sigurinë tonë. Pra se deri në çfarë niveli korruptueshmëria e shefes së shërbimit ka sjellë dëme në planin e sigurisë kombëtare.

Aleksandër Furxhi: Dhe shumica sigurisht që është në pozitë të vështirë dhe vëmë sot re një përpjekje të saj për ta fokusuar mbrojtjen e saj apo reagimin e saj ndaj skandalit duke sjellë në kujtesë Shërbimin Informativ Shtetëror të viteve ’90 të Berishës, të cilin sigurisht të gjithë e kujtojmë se sa fort ka qenë politikisht represiv ndaj opozitës së asaj kohe. Si është kjo taktikë që ka zgjedhur shumica?

Ergys Mërtiri: Për mua më duket e pakrahasueshme, sepse në këtë rast Vlora Hyseni nuk akuzohet për represion ndaj opozitës apo ndonjë gjë tjetër. Në qoftë se SHIK-u i Gazidedës mund të akuzohet si i politizuar, i cili i ka shërbyer Berishës dhe në një kohë trazirash mund të ketë qenë kriminal, po supozojmë në raport me reagimet që patën ndaj qeverisë në atë kohë, në rastin konkret kemi diçka tjetër që është për mua edhe më e rëndë se kjo. Në rastin konkret kemi bashkëpunim të institucioneve të sigurisë me krimin e organizuar. Pra, institucione të cilat janë aty për ta kontrolluar apo për ta survejuar krimin e organizuar bëjnë të kundërtën, i shërbejnë krimit të organizuar, kthehen në instrumente të krimit të organizuar dhe kjo është e pakrahasueshme. Në fakt ky është rast unikal; unë nuk di në vend tjetër të botës të ketë një rast të ngjashëm ku shefi i shërbimit të jetë akuzuar me akuza të tilla dhe të jetë në hetim. Kështu që për mua kjo lojë që po bëjnë të dyja palët është një lojë që çon ujë tek mulliri i të dyja palëve, të cilët zënë skenën, bëjnë pingpongun e përbashkët që në fakt nuk zbardh asnjë të vërtetë, nuk sqaron asgjë dhe nuk e vendos qytetarin përballë një panorame të qartë të realitetit politik, por thjesht hedh tymuese në mënyrë që të dyja palët të mbajnë pozicionet e tyre dhe të vazhdojnë lojën.

Aleksandër Furxhi: Dhe si mendon se do të ndikojë ky skandal në të ardhmen e afërt politike, të zhvillimeve politike në vend, por edhe në një perspektivë tjetër që është ajo e një ballafaqimi politik,  zgjedhjet për pushtetin lokal të pranverës së vitit të ardhshëm?

Ergys Mërtiri: Sigurisht unë mendoj që ky realitet thjesht e zhyt qeverinë akoma më shumë në pabesueshmëri, në kuadër kur zoti Rama ka shpallur një mision, tashmë ka projektin e tij të quajtur “Besa” dhe ka besën në qendër të politikës së tij dhe të mënyrës se si ai paraqitet e i ofrohet publikut. Në fakt, kur institucionet deri tek ato të sigurisë kombëtare shfaqen tashmë të pabesueshme, ato shkatërrojnë të gjithë narrativën që Rama kërkon të ngrejë për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet e ardhshme besoj se do ta zhytin vendin në një krizë akoma edhe më të thellë ku qytetari realisht nuk ka kë të votojë, sepse qytetari është i pakënaqur me të dyja palët. Të dyja palët, duke zënë skenën, e lënë qytetarin pa alternativë dhe kjo mendoj do të thellojë elektoratin gri, i cili do të refuzojë të votojë ose do të votojë ndonjë nga partitë e reja, por do të krijojë një hendek të madh i cili për momentin mbetet i pambushur politikisht. Pra qytetari është pa alternativë dhe kjo është thelbi i krizës politike që shoqëron këtë vend për të paktën tre-katër vite.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.