Në protestën e 117-të kundër qeverisë, aktivisti Edison Lika ka reaguar ashpër për situatën e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Lika e vuri theksin te fakti që, ndërsa protestuesit po përballeshin me forcat e policisë, Hyseni ishte paraqitur në ambientet e SPAK-ut.
Sipas tij, çështja nuk duhet të trajtohet si një histori personale apo marrëdhënie private, por si një çështje që prek sigurinë kombëtare.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në protestë, Lika deklaroi se nuk i interesojnë elementët personalë të çështjes së Hysenit, por akuzat që lidhen me informacionet dhe mekanizmat e sigurisë së shtetit.
“Ne nuk na intereson historia e dashurisë së Vlora Hysenit. Ne na intereson se ajo i ka thënë një të kërkuari që unë jam gati të fik radarët e shtetit, vetëm që çunat e tu të mos kenë probleme”, tha Lika.
Ai kundërshtoi mënyrën se si, sipas tij, po paraqitet çështja në publik, duke pretenduar se pas saj qëndron një problem më i gjerë institucional.
“Nëse duan të na e veshin këtë krim shtetëror me një histori dashurie, e kanë shumë gabim se nuk e hamë këtë karrem”, u shpreh aktivisti.
Lika e konsideroi Hysenin si një person që, sipas tij, duhet të ishte në burg, ndërsa zhvillimet rreth saj i lidhi drejtpërdrejt me çështjen e sigurisë kombëtare.













