Një kompani amerikane që i ofroi Pentagonit dhe agjencive të tjera qeveritare softuer për forenzikë digjitale dhe nxjerrje të të dhënave, në fakt ishte në pronësi të një kompanie ruse që po ashtu i shiste softuer agjencive ruse të spiunazhit, thanë autoritetet amerikane.
Shefi ekzekutiv i Oxygen Forensics, Lee Reiber, 55 vjeç, nga Idaho, u arrestua nën akuzat për mashtrim përmes komunikimeve elektronike dhe u lirua me kusht më 22 shtator, thanë prokurorët amerikanë.
Shtetasi rus, Oleg Davydov, 52 vjeç, nga Moska, u arrestua në aeroportin Heathrow të Londrës dy ditë më herët, teksa zyrtarët amerikanë thanë se do të kërkojnë ekstradimin e tij.
Në padinë penale të publikuar më 23 shtator, prokurorët amerikanë thanë se Oxygen Forensics dhe, në veçanti, Reiber, dyshohet se i kishin thënë Qeverisë amerikane se kompania e regjistruar në Virxhinia nuk kishte pronësi apo kontroll të huaj dhe se softueri i saj ishte zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.
Në fakt, prokurorët pretendojnë se Oxygen Forensics ishte në pronësi të Davydovit dhe katër shtetasve të tjerë rusë të paidentifikuar, të cilët po ashtu drejtonin një kompani me bazë në Moskë që ofron shërbime softuerike për Shërbimin Federal të Sigurisë, që është agjencia kryesore të inteligjencës së Rusisë.
Kompania krijoi një filial në SHBA në periferinë e Uashington D.C., në vitin 2013.
Pas vitit 2022, kur SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore ashpërsuan rregulloret pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, Davydov dhe partnerët e tij dyshohet se ndërmorën hapa për të fshehur pronësinë e Oxygen Forensics.
Brenda Rusisë, Oxygen u riemërtua në MKO Systems. Aplikacioni kryesor i kompanisë, i quajtur Mobile Forensic Detective, përdoret gjerësisht nga agjencitë ruse të zbatimit të ligjit.
Softueri që Oxygen u ofroi agjencive qeveritare amerikane ishte softuer për nxjerrjen e të dhënave, i cili përdoret për të shmangur veçoritë e sigurisë dhe për të mbledhur të dhëna nga telefonat celularë, kompjuterët dhe pajisjet e tjera elektronike.
Instituti Kombëtar i Forenzikës Kompjuterike i Shërbimit Sekret amerikan – agjencia që siguron mbrojtjen e Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarëve qeveritarë – nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me kompaninë në vitin 2024.
“Padia nuk pretendon se softueri përmbante kod keqdashës apo se ishte përdorur për të fituar qasje të paautorizuar në sistemet kompjuterike ose të dhënat e ndonjë klienti”, thanë autoritetet amerikane.
Si Reiberi, ashtu edhe Davydovi u akuzuan për mashtrim përmes komunikimeve elektronike. Reiber nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, ndërkaq Davydov nuk u arrit të lokalizohej për koment.
Njoftimi vjen në një kohë kur përdorimi i hakimit, spiunazhit kibernetik, programeve keqdashëse dhe aktiviteteve të tjera dashakeqe kompjuterike është rritur ndjeshëm në mbarë botën.
Agjencitë qeveritare – ruse, amerikane, kineze, izraelite dhe iraniane – kanë investuar shuma të mëdha në zhvillimin e kapaciteteve të reja kibernetike, ndërkaq kompanitë private kanë gjithnjë e më shumë qasje në mjete të reja të fuqishme jashtë sektorit qeveritar.
Më 23 shtator, Byroja Federale e Hetimit (FBI) njoftoi se po heton një pretendim se një grup hakerësh kishte vjedhur dokumente të ndjeshme që u përkisnin mijëra agjentëve dhe aplikantëve dhe se kishte komprometuar ueb-faqen e punësimit të byrosë.
Lini një Përgjigje