Sektori i vendit të ngjarjes në Drejtorinë e Policisë Tiranë është pajisur me një automjet të lëvizshëm, për kryerjen e hetimeve, rindërtimin e skenave të krimit dhe mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes.
Në kuadër të projektit “Qasje e Integruar Institucionale dhe Forcimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar për Kontrollin e ARMËVE të Vogla dhe të Lehta (Faza I)” UNDP SEESAC, UNDP Shqipëri rindërtoi një automjet për Drejtorinë e Policisë Tiranë, duke e kthyer në një Laborator Shkencor të lëvizshëm.
Automjeti është pajisur me mjetet e nevojshme dhe me pavarësi operacionale në terren, shndërrohet në një laborator shkencor të lëvizshëm, i aftë të arrijë çdo vendndodhje brenda juridiksionit.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri, tregon se kjo dhuratë për shërbimet e DVP Tiranë, do t'i ndihmojë oficerët të kryejnë më lehtë hetime në vendngjarje, të mbledhin provat dhe të rindërtojnë skenën e krimit.
Automjeti u bë i disponueshëm nga projekti EU4FAST, ndërsa UNDP Shqipëri ka siguruar pajisjet shkencore dhe ato të punës, si dhe përshtatjet e brendshme të nevojshme, duke garantuar funksionalitetin e automjetit për hetimet në vendngjarje.
