Në qytetin e Fierit, qëndistaria “Roza” reklamon në rrjetet sociale prodhimin dhe shitjen e elementeve të uniformave të Policisë së Shtetit, përfshirë bluza, pantallona, kapele, stema, grada, numra identifikimi, apo spaleta. Porositë përfshijnë uniforma për policinë e rendit, policinë rrugore, policinë kufitare dhe ushtrinë.
Emisioni “Stop” iu drejtua subjektit me kamera të fshehtë dhe porositi dy kostume të plota policie. Porosia përfshinte kapele, bluza, pantallona, badge, stema të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Rendit, numra identifikimi dhe grada “komisar”.
Qytetari: Bën kështu kostum ti? Për polic!
Qëndistaria: Çfarë kostumi?
Qytetari: Kostum polici!
Qëndistaria: Pantallona ke?
Qytetari: Po, pantallona!
Qëndistaria: Bluzë?
Qytetari: Jo, jo! Prit, prit! Pantallona, bluzë. Po xhaketë?
Qëndistaria: Jo, nuk mbaj!
Qytetari: Po kshu, ma bën dot këtë?
Qëndistaria: Këto gradat po re, të gjitha llojet.
Qytetari: Po këtë, do më bësh dy copë?
Qëndistaria: Dy copë! Ato, është 3 mijë lekë një.
Qytetari: Po!
Qëndistaria: Çifti i asaj është gjashtë mijë lekë.
Qytetari: Gjashtë mijë lekë, po!
Qëndistaria: Numër, gradë i ke nga tre. Spa…, stemat, i ke nga katër. Ça steme?
Qytetari: Policia e Shtetit!
Qëndistaria: Do shteti, rendi?
Qytetari: Ok! Një sekondë! Këtë, këtë! Shëno numrin 03!
Qëndistaria: Mos u nxito!
Qytetari: 2!
Qëndistaria: 2!
Qytetari: 4!
Qëndistaria: 4!
Qytetari: 1! E dua me këto përmasa, hë! Mos m’i ngatërro!
Qëndistaria: Janë standarde ato, re vlla! Nuk punojmë ashtu ne. Ore ti! Unë kam një vit, po merem me ju. Duro!
Qytetari: Kjo, sa vete?
Qëndistaria: Bluzat i ke me 18-të.
Qytetari: 18 mijë lekë!
Qëndistaria: Pantallonat i ke me 26. Janë 100 porosi në ditë, ore, s’kam vetëm ty unë.
Qytetari: Ishte mbyllur ajo në Tiranë te 21-shi.
Qëndistaria: Epo jam unë ajo, që e kam marrë këtë punë.
Qytetari – Epo…
Qëndistaria: Kam unë 1 vit, që e kam rrëmbyer këtë punë. Ne kemi dhe në Tiranë studio, por…
Gjatë bisedës, shitësja tregon se ka një numër të madh porosish dhe se punon edhe online, duke realizuar rreth 100 porosi në ditë.
Qëndistaria: Ne po punojmë 12-të, studioja e Tiranës dhe unë këtu, e s’po ia dalim dot.
Qytetari: Po ku e keni në Tiranë ju, se…
Qëndistaria: Nuk e kap dot çupën ti atje re, nuk e kap dot, prandaj nuk u jap informacion, të vini atje. Se ajo, e ke parasysh, më shumë është online. Merr porositë edhe…
Në rastin e dokumentuar nga “Stop”, dy kostume policie të kompletuara u porositën dhe u morën, pa paraqitur identifikim si punonjës policie dhe pa autorizim. Kostoja totale e porosisë shkoi rreth 140 mijë lekë, duke përfshirë uniformat dhe elementet identifikuese./tvklan.al












