Zbulohet portreti i Shpëtim Aliut, i arrestuar mbrëmjen e së mërkurës në Rusi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Aliu ishte shpallur në kërkim nga SPAK në muajin qershor të këtij viti, në kuadër të një hetimi për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Sipas dosjes hetimore të SPAK, Salvatore Aliu dyshohet se ka pasur një rol kyç në aktivitetin e një grupi të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se në Shqipëri janë pastruar të paktën 30 milionë euro, të siguruara nga aktivitetet kriminale.
Një rol të rëndësishëm në menaxhimin e parave, sipas hetimeve, dyshohet se ka pasur vëllai i tij, Isa Aliu. Ky i fundit rezulton të ketë në pronësi katër kompani, të cilat, sipas dosjes, janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme, vila, apartamente, troje dhe ndërtime, përfshirë struktura hoteliere në zona turistike.
Në qershor të vitit 2026, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi ndaj Salvatore Aliut masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve, Salvatore Aliu përdorte platformën e komunikimit SKY dhe identifikohej me disa emra, mes tyre “Dala”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktor” dhe “Albo Pelon”.
Në një komunikim të gushtit 2020 me vëllain e tij, Isa Aliu e informonte se kishte në dispozicion 6 milionë euro. Dy javë më vonë, Salvatore Aliu e njoftonte se priste të merrte edhe 20 milionë euro të tjera.
Në komunikimet e zbardhura nga hetuesit, ai dyshohet se i jepte të vëllait udhëzime për mënyrën se si duhej të fshiheshin paratë deri në momentin e investimit të tyre. Ndër sugjerimet e përmendura në dosje ishte edhe vendosja e parave në fuçi 50-litërshe dhe groposja e tyre.
Arrestimi i Aliut në Rusi i hap rrugë procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.


