
Një prej aktivisteve të arrestuara gjatë tensioneve të paradites para Kuvendit, Loreta Koleci, ka folur në protestën e 117-të, e zhvilluar para Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së saj nga podiumi, Koleci tha se gjatë shoqërimit në komisariat u kishte deklaruar efektivëve të policisë se qytetarët po kërkohen të zbatojnë ligjin në një kohë kur, sipas saj, institucionet shtetërore nuk funksionojnë.
“Dua të them atë çfarë i thashë policisë. Ju kërkoni të zbatojmë ligjin kur i tërë shteti ka rënë. Nuk njihet më kush është polici, kush është krimineli, kush është kryeministri”, u shpreh ajo.
Koleci përmendi në fjalën e saj edhe emrin e Ergys Agasit, duke thënë se, sipas saj, për të ecur përpara në Shqipëri duhet të jesh në krah tij.
“Duhet të jesh ose me Ergys Agasin, ose me Belinda Ballukun. E nuk e kemi fare të drejtën të protestojmë dhe të kërkojmë një Shqipëri më të drejtë dhe të ndershme”, deklaroi aktivistja.
Ajo theksoi se kritikat e saj nuk janë të drejtuara ndaj efektivëve të policisë në mënyrë individuale, por ndaj strukturës së policisë dhe mënyrës se si, sipas saj, është përdorur.
“Nuk e kemi me policinë me emra, por me strukturën që është përdorur për bandat kriminale”, tha Koleci.
Më tej, aktivistja e cilësoi situatën si përgjegjësi jo vetëm të qeverisë aktuale, por edhe të qeverive të mëparshme.
“Nuk është turpi i vetëm i qeverisë, por i qeverive të tëra. Kanë treguar sa antishqiptarë janë”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar protestës së 117-të, Koleci tha se pjesëmarrësit do të vijojnë të kërkojnë, sipas saj, të drejtën për të jetuar me dinjitet, pavarësisht presioneve dhe deklaratave politike.
“I thashë dhe që është dita e 117. Kemi treguar se as intimidimet, as patronazhistët, as deklarata e Ramës nuk na ndalin të kërkojmë të drejtën tonë për të jetuar dinjitetshëm. Nuk keni pranga për të gjithë”, përfundoi ajo./Versus.al

