Pamjet e kamerave të sigurisë të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë lëvizjet e dy personave të maskuar, të dyshuar për vjedhjen e një banese në fshatin Shelegar të Sarandës.
Familja ndodhej në një dasmë kur persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hyrë në banesë dhe kanë marrë rreth 15 milionë lekë të vjetra dhe bizhuteri me vlerë.
Në pamjet e siguruara nga redaksia, dy personat shihen fillimisht duke lëvizur të maskuar në rrugët e fshatit. Më pas, ata afrohen te banesa dhe futen brenda.
Në një tjetër moment të regjistruar nga kamerat, dy personat shihen duke dalë nga banesa, ndërsa njëri prej tyre mban në dorë një çantë, ku dyshohet se kanë vendosur sendet e marra nga shtëpia.
Ajo që bie në sy është se personat kanë lëvizur të maskuar edhe në rrugën kryesore të fshatit, përpara dhe pas hyrjes në banesë, duke u fiksuar nga disa kamera sigurie.
Sipas familjarëve, pamjet filmike i janë dorëzuar Policisë së Sarandës pas denoncimit të ngjarjes. Megjithatë, sipas tyre, tre ditë pas vjedhjes autorët ende nuk janë identifikuar apo kapur.
Hetimet vijojnë për identifikimin e dy personave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.