Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) në Shqipëri, Vlora Hyseni, e cila të enjten doli para gjykatës.
Hyseni ishte brenda gjykatës për disa orë dhe doli para trupit gjykues si e dyshuar për veprat penale “zbulimi i të dhënave sekrete” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.
Gjykata po ashtu ka vendosur ndalimin e publikimit tërësisht apo pjesërisht të vendimit gjyqësor ndaj Hysenit, deri në përfundim të hetimeve paraprake.
Hyseni u shkarkua të martën nga detyra e drejtueses së shërbimit sekret të vendit, pasi gjykata urdhëroi vendosjen e saj në arrest shtëpiak, nën dyshimin se ka nxjerrë të dhëna të klasifikuara në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion.
Hollësi mbi të dhënat që dyshohet se janë zbuluar nuk janë bërë publike.
Edhe
Bushkolaj për rastin e Hysenit: Skandal shumë i madh, i bën dëm gjithë faktorit shqiptar
Por, sipas burimeve, të dhëna sekrete dyshohet se i janë dorëzuar Ergys Agasit, një prej biznesmenëve të përfshirë në hetimin lidhur me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku po hetohen dyshime për veprimtari kriminale dhe manipulim të procedurave të prokurimit publik, transmeton REL.
Një numër zyrtarësh shtetërorë dhe biznesmenësh janë arrestuar ose po hetohen për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.
Hetimi ndaj Hysenit ka ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë institucionale dhe kombëtare të Shqipërisë.
Para gjykatës kanë dalë edhe dy persona të tjerë që po hetohen në kuadër të këtij hetimi, njëri punonjës i policisë gjyqësore dhe tjetri biznesmen. Ata janë dërguar në paraburgim.
Hyseni drejt gjykatës, i drejtohet gazetares: Si kalon në takimet me agjentët serbë
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, ka mbërritur të enjten në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të njihet me masën e sigurisë dhe akuzat ndaj saj.
Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa “arrest në shtëpi”, është shprehur shkurtimisht para gazetarëve gjatë hyrjes në objektin e gjykatës.
Edhe
Mejdini: Biznesmeni tek i cili dyshohet se spiunoi Hyseni shihet si “këshilltar në hije” i Edi Ramës
“Si kalon ti në takimet me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, ka thënë ajo, duke iu drejtuar gazetares Klodiana Lala, raportojnë mediat në Shqipëri.
Seanca ndaj Hysenit do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
SPAK e ka vendosur Hysenin nën hetim në kuadër të një procedimi penal që lidhet edhe me persona të tjerë. Sipas njoftimit të GJKKO-së, ndaj saj është caktuar masa “arrest në shtëpi” dhe pezullimi i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik.
Hyseni dyshohet se kishte lidhje intime dhe i jepte informacion Ergys Agasit, biznesmenit që u arrestua në fund të gushtit. Mbi Agasin rëndojnë disa vepra penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe grupin e strukturuar kriminal.
Para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, Vlora Hyseni kishte punuar për vite në strukturat e sigurisë në Kosovë. Ajo u emërua zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) në shkurt të vitit 2019, me mandat pesëvjeçar.
Në dhjetor të vitit 2020, pas shkarkimit të drejtorit të atëhershëm të AKI-së, Kreshnik Gashi, Hyseni mori drejtimin e institucionit në detyrë. Ajo qëndroi në këtë pozitë deri në prill të vitit 2021, kur Petrit Ajeti u emërua drejtor i AKI-së.
Edhe
Vlora Hyseni u dorëzohet autoriteteve shqiptare në Vërmicë
Më 30 qershor 2021, presidentja e atëhershme Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti morën vendim për shkarkimin e Hysenit nga posti i zëvendësdrejtoreshës së AKI-së. Në njoftimin zyrtar të asaj kohe nuk u bënë të ditura arsyet e shkarkimit.
Pas largimit nga AKI-ja, Hyseni kaloi në Shqipëri, ku fillimisht punoi si këshilltare për çështje të sigurisë e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në prill të vitit 2023 u emërua drejtoreshë e SHISH-it.