Shqiponja amerikane për Xi dhe mesazhe për Tajvanin, çfarë ndodhi në takimin mes Trump dhe liderit suprem të Kinës
Papa Leo XIV nis të premten një vizitë katërditore në Francë, në udhëtimin e tij të parë në këtë vend si kreu i Kishës Katolike. Momenti kulmor pritet të jetë mesha madhështore në qendër të Parisit, ku autoritetet presin më shumë se gjysmë milioni besimtarë.
Për meshën e së shtunës pasdite, në Place de la Concorde është ngritur një altar, ndërsa një pjesë e madhe e zonës përreth Champs-Élysées do të jetë e rrethuar dhe e kontrolluar nga policia.
Rreth 600 mijë besimtarë pritet të mbushin bulevardin deri në Harkun e Triumfit dhe zonat përreth, ndërsa turma të mëdha priten edhe në ndalesat e tjera të vizitës së Papës.
Kisha Katolike e lidh këtë interes me një rritje të etjes shpirtërore mes francezëve dhe evropianëve, pavarësisht procesit të gjatë të sekularizimit të shoqërisë franceze.
Macron do ta presë Papën, por nuk do të marrë pjesë në meshë
Presidenti francez Emmanuel Macron do ta presë Papa Leo XIV në aeroportin Orly të premten në mëngjes. Më pas, dy liderët do të zhvillojnë bisedime në Pallatin Élysée, ku pritet të diskutojnë çështje gjeopolitike dhe inteligjencën artificiale.
Macron dhe Papa Leo XIV do të mbajnë gjithashtu një fjalim të përbashkët gjatë vizitës në Metz.
Megjithatë, presidenti francez nuk do të marrë pjesë në meshët e Papës, në respekt të parimit të ndarjes së shtetit nga feja, një parim veçanërisht i rëndësishëm në Francë.
Në meshën e së shtunës në Champs-Élysées pritet të marrin pjesë bashkëshortja e Macron, Brigitte Macron, si dhe kryeministri Sébastien Lecornu.
Në mesin e të pranishmëve priten edhe disa prej figurave politike që mund të garojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes tyre Marine Le Pen, Édouard Philippe, Gabriel Attal dhe Bruno Retailleau.
Tensione për organizimin e vizitës
Para vizitës u raportua për disa mosmarrëveshje mes presidencës franceze dhe ekipit të Vatikanit që po koordinonte programin.
Sipas raportimeve, Macron kishte kërkuar një aspekt më ceremonial të vizitës, ndërsa zyrtarët e Élysée-së i kanë mohuar këto tensione.
Ata kanë sqaruar se është normale që një kreu shteti që viziton Francën, status që i atribuohet edhe Papës, t’i ofrohet një sërë ceremonish zyrtare, përfshirë edhe një eskortë kalorësie përgjatë Champs-Élysées. Megjithatë, sipas tyre, nuk ishte e pritshme që Papa të pranonte domosdoshmërisht të gjitha propozimet.
Vatikani konfirmoi gjithashtu se Papa Leo XIV nuk e pranoi një propozim të Macron për t’u takuar me artizanët që morën pjesë në rindërtimin e Notre-Dame, pas zjarrit shkatërrues të vitit 2019. Arsyeja e dhënë ishte programi i ngjeshur i vizitës.
Nga Notre-Dame te Stade de France
Pas një udhëtimi me Papamobil mes turmave, Papa Leo XIV do të vizitojë të premten pasdite katedralen Notre-Dame.
Në mbrëmje ai do të takohet me rreth 80 mijë të rinj në Stade de France, në veri të Parisit.
Të dielën, Papa do të udhëtojë drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik në botë. Rreth 150 mijë persona janë regjistruar për meshën që do të zhvillohet atje.
Gjatë vizitës në Lourdes, Papa do të takohet gjithashtu me disa persona që kanë deklaruar se janë viktima të abuzimeve seksuale nga pjesëtarë të klerit katolik.
Të hënën, vizita do të vijojë në Metz, në verilindje të Francës, ku Leo XIV do të nderojë Robert Schuman, një prej figurave themeluese të Bashkimit Evropian dhe një katolik i devotshëm, i cili aktualisht është kandidat për lumturim.
Papa do të takohet gjithashtu me një grup emigrantësh gjatë qëndrimit në Francë.
Papa me rrënjë franceze
Papa Leo XIV, i lindur në Çikago në vitin 1955 me emrin Robert Prevost, ka edhe lidhje familjare me Francën.
Gjyshja e tij nga babai kishte lindur në Le Havre, në Normandi, në vitin 1894. Më vonë, pasi u martua në Shtetet e Bashkuara me një burrë me origjinë italiane, familja mori mbiemrin Prevost, i cili ishte mbiemri i vajzërisë së nënës së saj.
Franca dhe Kisha Katolike, një marrëdhënie me histori të gjatë
Franca ka një marrëdhënie historikisht komplekse me Kishën Katolike dhe Selinë e Shenjtë.
Për shekuj me radhë, vendi është konsideruar si “vajza e madhe e Kishës”, edhe pse pretendimi se Franca ishte mbretëria e parë që u konvertua në krishterim nuk është historikisht i saktë. Armenia, Gjeorgjia dhe Etiopia u konvertuan më herët.
Në shekullin XIV, papati u zhvendos për një periudhë në Avignon, në jug të Francës. Në shekujt pasues, ushtritë franceze ndërhynë në mënyrë periodike në politikën italiane, në një kohë kur papët ishin jo vetëm udhëheqës fetarë, por edhe sundimtarë territorialë.
Edhe Napoleon Bonaparti mbajti dy papë në arrest.
Papët e fundit kanë vizituar Francën. Papa Gjon Pali II e vizitoi vendin disa herë, nga viti 1980 deri në vitin 2004. Ndërsa Papa Françesku e vizitoi Francën tri herë, por nuk zhvilloi vizitë në Paris, duke zgjedhur Strasburgun, Marsejën dhe Korsikën.
Interesi për fenë po shfaq shenja rikthimi
Franca e sotme është një shoqëri shumë më laike se në të kaluarën. Më pak se gjysma e popullsisë identifikohet si katolike.
Numri i personave që marrin pjesë rregullisht në shërbesat fetare ka rënë ndjeshëm: nga rreth 35% e popullsisë në vitin 1960, në më pak se 5% sot. Ndërkohë, numri i priftërinjve ka rënë me rreth dy të tretat, nga 25 mijë në vitin 1990 në më pak se 9 mijë.
Megjithatë, vitet e fundit janë shfaqur disa shenja të një interesi në rritje për traditat fetare. Numri i të rriturve që pagëzohen është më shumë se dyfishuar brenda pesë vitesh, duke arritur në rreth 10 mijë në vitin 2025.
“Franca është sekularizuar, por ekziston një boshllëk aty ku dikur ishin Zoti dhe vlerat”, tha kardinali François Bustillo, peshkop i Ajacios.
Sipas tij, shumë njerëz po kërkojnë diçka shpirtërore dhe po eksplorojnë tradita të ndryshme fetare në botë.
“Tani Papa vjen nga Roma, duke u kujtuar njerëzve rrënjët e tyre”, u shpreh ai, duke shtuar: “Gjon Pali II zgjoi Lindjen. Tani Leo XIV do të zgjojë Perëndimin.”
Top Channel