“Gratë me funde të gjata janë nëna më të mira”, deklarata e ministrit italian shkakton reagime dhe protesta

Një deklaratë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka shkaktuar reagime të forta në Itali, madje edhe nga Kisha Katolike.
Gjatë një konference, Tajani u pyet se çfarë këshille do t’i jepte djalit të tij për zgjedhjen e bashkëshortes. Ai tha se do të preferonte një grua më pak tërheqëse, por më të besueshme dhe të aftë për të qenë një nënë e mirë.
Më tej, ministri tha se një grua e tillë mund të ishte ajo që “vesh funde pak më të gjata se të tjerat”.
Deklarata shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale dhe nga politikane italiane, disa prej të cilave publikuan foto me minifunde në shenjë proteste.

Njëmbëdhjetë senatore të opozitës u paraqitën gjithashtu në Parlament me minifunde, në një protestë simbolike kundër deklaratave të Tajanit.
Ish-kryeministri Matteo Renzi e kritikoi ashpër ministrin dhe kërkoi largimin e tij nga qeveria, duke pyetur nëse Italia ndodhet ende në shekullin XVIII.
Edhe Kisha Katolike reagoi ndaj deklaratave. Monsinjor Giuseppe Baturi, drejtues i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, theksoi se çdo fjalë dhe vështrim ndaj një gruaje duhet të shoqërohet me respekt.
Ai nënvizoi rëndësinë e respektit ndaj grave, veçanërisht në një kohë kur ato mund të bëhen objekt i gjykimeve sipërfaqësore.
Pas reagimeve të shumta, Antonio Tajani kërkoi falje për deklaratat e tij.
Nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai tha se i vinte keq nëse dikush ishte ndier i ofenduar, duke theksuar se nuk kishte pasur qëllim të fyente gratë.




